Përzgjedhësi i përfaqësueses U-21 të Kosovës, Rafet Prekazi, ka folur pak për humbjen e pestë rresht, të pësuar të premten nga Austria në Prishtinë (1:0), në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2021”. Pak ka folur edhe për ndeshjen që të martën “dardanët” e rinj e zhvillojnë ndaj Andorrës. Ndeshja kundër Andorrës për Kosovën është e teta në këtë cikël kualifikues dhe luhet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nga ora 19:00.
Prekazi më shumë ka folur për të ardhmen, thotë se Kosova do të ketë një cikël të suksesshëm.
Shefi i shtabit teknik të përfaqësueses U-21 ka thënë se ndaj Andorrës pret angazhim maksimal, ashtu siç thotë se lojtarët kanë bërë ndaj Austrisë. Motivi nuk është zbehur te futbollistët e tij.
“Pavarësisht rezultateve, nuk i dua arsyetimet. Jemi shtet që na ka rrëzuar virusi. Megjithatë, jam i kënaqur me angazhimin ndaj Austrisë. Kemi pasur në skuadër lojtarë që për herë të parë janë grumbulluar me ne dhe sigurisht duhet kohë për komponim. Janë angazhuar maksimalisht dhe jam i kënaqur. Vetëm kështu unë dua që të djersitet fanella e Kosovës. Unë dua të krijoj një ekip për të ardhmen. Kam një gjeneratë të re dhe synimi ynë është që ta bëj gati ekipin për të ardhmen”, ka thënë Prekazi.
Kosova pati një start të mirë. I fitoi dy ndeshjet e para, kundër Andorrës 4:0 dhe kundër Turqisë, 3:1. Serinë e pesë humbjeve rresht e nisi kundër Anglisë, prej së cilës pësoi fillimisht 2:0. Nga Anglia humbi edhe ndeshjen e dytë, 6:0. Humbi edhe nga Shqipëria, 2:1, dhe Austria 4:0 Në Grupin 3 është në vendin e pestë me një pikë më shumë se Andorra që ka pesë pikë.
Prekazi ka shtuar se pandemia e koronavirusit u ka prishur plane të mëdha së fundi. Kosova në ndeshjet e fundit është detyruar të luajë me formacione të ndryshme dhe me shumë mungesa. Për ndeshjen ndaj Andorrës, Prekazi ka bërë të ditur se pritet t’i aktivizojë edhe dy apo tre futbollistë që do të jenë debutues për Kosovën.
“Do të shoh 2-3 lojtarë të rinj t’i angazhoj ndaj Andorrës, pasi thjesht jam duke e krijuar ekipin për ciklin e ardhshëm. Motivi nuk ka munguar asnjëherë. Kemi shpresë për ndeshjen kundër Andorrës. Ndaj Austrisë angazhimi ka qenë maksimal. Lojtarët janë të freskët edhe për ndeshjen kundër Andorrës, ku pres të mos mungojë edhe angazhimi”, është shprehur Prekazi.