Kosova U18 grumbullohet për herë të parë për këtë vit

Prishtinë | 27 Shk 2024 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës U18 është grumbulluar për herë të parë këtë vit, përkatësisht për herë të katërt që nga krijimi i saj.

Nën drejtimin e përzgjedhësit, Sami Sermaxhaj, dhe stafit të tij, Alban Dragusha, Sheremet Isufi, Erdin Hashani dhe Flamur Neziri, 34 lojtarët e grumbulluar do të stërvisin për tre ditë rresht në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

Sermaxhaj e ka vlerësuar pozitiv faktin që federata ka vendosur të ndjekë hapin e vendeve të zhvilluara për krijimin edhe të kombëtareve U16, U18 dhe U20.

“Ky është një organizim i ri që ka bërë federata, e që shkon përkrah organizimeve që kanë edhe shtetet e tjera. Ky është grumbullimi ynë i parë për këtë vit dhe e kemi aplikuar një metodologji të kujdesshme të përzgjedhjes së lojtarëve më të mirë të gjeneratës 2006 dhe 2007 në klubet e tyre. Shumica e lojtarëve edhe në të kaluarën kanë qenë pjesë e ekipeve zinxhirë të kombëtares. Mund të them me shumë përgjegjësi se ka shumë futbollistë të talentuar. Organizimi në këtë formë u shërben pikërisht talenteve dhe u jep mundësi që me shumë përgjegjësi dhe privilegj ta veshin fanellën e kombëtares”, ka theksuar Sermaxhaj./GE

Të ngjashme