Kosova vendos çmime tavan edhe për produktet ushqimore bazë

Prishtinë | 20 Tet 2022 | 11:39 | Nga Ekonomia Online

Produktet bazike në kuptim të këtij projektligji konsiderohen: drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.

Në Kosovë, të gjitha produkteve bazike pritet t’u vendoset çmim tavan. Kjo do të bëhet përmes projektligjit ku parashihen këso masa në rast se destabilizohet tregu përmes rritjeve të menjëhershme të çmimeve.

Përveç marzhit të fitimit dhe caktimit të çmimit maksimal të lejuar, shteti mund ta ndalojë apo kufizojë eksportin dhe t’i detyrojë bizneset ta kufizojnë apo ta ruajnë në stok, një pjesë të produkteve.

Draftligji e përcakton edhe formulën e llogaritjes së marzhit. Për prodhimet vendore merret parasysh kostoja e prodhimit dhe e shpenzimeve, kurse për ato të importuara fitimi i bizneseve caktohet pasi të mblidhen disa faktorë.

“Çmimi i blerjes së produktit; kostoja e transportit, e llogaritur sipas legjislacionit në fuqi; detyrimet doganore; kostoja e zhdoganimit, që përfshin koston e terminalit doganor dhe transportit, koston e matjes së sigurisë së produktit, si dhe koston tjetër të faturuar lidhur me zhdoganimin e produktit”.

Këtë e vë në praktikë komisioni i emëruar nga ministrja e Tregtisë, kurse inspektorati mund të vë gjoba të majme në rast moszbatimi.

“Prej 1.000 deri në 20.000 euro, si person juridik; prej 500 deri në 5.000 euro, si person fizik që ushtron biznes individual; prej 500 deri në 2.000 euro, si person përgjegjës i personit juridik”, saktëson kështu neni 9 i projektligjit.

Ekzekutivi tashmë ka dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Nenin 4 i këtij Projektligji përcakton listën e produkteve që mund t’u vihen masa mbrojtëse.

Këtu përfshihen: drithërat, miell – gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie dhe produktet e tjera themelore të konsumit për jetesë.

Neni 5 i përcakton masat e përkohshme mbrojtëse për furnizimin me produkte prej kufizimit të sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar deri te kufizimi i eksportit.

Ndërsa neni 7 ka të bëjë me Llogaritjen e marzhës së fitimit prej çmimit të blerjes tek produktet e importuara deri të kostoja e zhdoganimit. Në rast të mos respektimit të këtyre masave, projektligji parasheh ndëshkime prej 500 eurosh deri të mbyllja e aktivitetit tregtar për një muaj.

Ndryshe, Banka Botërore ka vlerësuar se inflacioni në Kosovë është afër 20 për qind. Derisa Kuvendi ta shqyrtojë këtë projektligjin për kontrollimin e çmimeve të produkteve bazë, çmimet e produkteve themelore po rriten paparashikueshëm.

Rritja e çmimeve të produkteve bazë është bërë e pandalshme. Buka e bardhë 0.50 – 0.60 euro, Mielli 5 kg – 5.18 euro, Vaji 1litër – 2.89 euro, Qumështi 1litër – 1.15 euro, Vezët 30 copë – 3.89 euro, Fasulet 800 gramë – 2.49 euro, Orizi i bardhë 700 gramë – 1.19 euro, Kripa 900 gramë – 0.45 euro

Rritja e çmimeve vërtetohet edhe nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Në publikimin e Indeksit të Harmonizuar të çmimeve të konsumit, del se inflacioni në shtator ishte 12,7% më i madh se shtatori i vitit të kaluar.

Ditë më parë edhe kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar heqjen e TVSH për disa produkte elementare, duke përfshirë bukën, miellin, sheqerin, vajin, kripën.

Ai tha se heqja e TVSH nuk e dëmton buxhetin e vendit, por e lehtëson përballueshmërinë e qytetarëve në këtë krizë të paprecedentë.

Të ngjashme