Kampionati Evropian i femrave përfundoi të dielën me fitoren e Anglisë kundër Gjermanisë në finale.
E tash, është koha për t’i bërë llogaritë pas mbylljes së kësaj gare prestigjioze, e cila u mbajt në Britaninë e Madhe.
Mediumi i madh sportiv “Goal.com” e ka nxjerrë edhe formacionin më të mirë të “Euro 2022”, përcjell “Gazeta Express”.
E në ekipin ideal të Evropianit të femrave është përfshirë edhe Kosovare Asllani.
Futbollistja kosovare bëri paraqitje pozitive në këtë garë, edhe pse nuk ia doli të triumfonte me Suedinë, të cilën e përfaqëson tash e sa vite.
“Çdo kundërshtare që i del përballë Kosovare Asllanit, e njeh krejt talentin e saj dhe se çka mund të bëjë ajo. Por, kjo nuk e bën më të lehtë ndaljen e saj. Plejmekerja e talentuar e drejtoi shfaqjen e Suedisë, me të cilën e arriti gjysmëfinalen, duke u renditur e treta për rastet e krijuara, e dyta për asiste, e treta për driblime të kompletuara dhe e dyta për faulle të fituar gjatë kësaj gare”, shkruan “Goal”, teksa e përshkruan me statistika paraqitjen e Kosovares në “Euro 2022”.
“Futbollistet me aftësitë e saj shpesh janë parë si lojtare luksoze. Por, Asllani është mjaft punëtorë dhe e ka një disiplinë defanzive, e cila është ekstremisht e rrallë në pozitën e saj. Asnjë lojtare nuk e ka fituar topin prapa në treshen finale të fushës në Evropian sa ajo. Kosovarja ka inteligjencë taktike të integruar në presionin e ekipit të saj”, përfundon përshkrimi i këtij portali për futbollisten nga Kosova, e cila është lindur dhe rritur në Suedi, shkruan “Gazeta Express”.
Kosovare Asllani këtë verë iu bashkua Milanit pasi e mbylli eksperiencën në Real Madrid, ndërsa më parë kishte luajtur edhe në Manchester City dhe në Paris Saint-Germain, krahas ekipeve suedeze, por e pati një eksperiencë të shkurtër edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, qe një kohë është lojtare e rëndësishme e Kombëtares së Suedisë.