Kosovarët maraklinj të armëve, arrestohen disa të rinj në Prishtinë e Fushë Kosovë

Prishtinë | 27 Mar 2023 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Sinjali mëson se dje dhe sot janë zbuluar edhe disa raste të tilla dhe janë shoqëruar në Polici disa persona.

Fillimisht në rrugën “Luan Haradinaj”, Policia ka ndalur një 21-vjeçar, të cilit iu gjet një mjet i mprehtë thikë, si dhe një sasi e substancës narkotike, të llojit maihuanë. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe më pas ndaj tij është iniciuar rasti për dy vepra penale, për posedim të drogës dhe armëmbajtje pa leje.

Edhe rasti tjetër është zbuluar në rrugën “Fahri Fazliu” në kryeqytet, ku Policia ka kontrolluar një veturë, në të cilën ia gjeti shoferit një armë, si dhe dhjetëra fishkë, që më pas u konfiskuan. Për shkak të posedimit të armës pa leje, zyrtarët policorë kanë arrestuar të dyshuarin, i cili më pas u dërgua në Polici, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin.

Mësohet se edhe mbrëmë pas mesnate, në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë, një njësi policore ka kapur në flagrancë një të ri, i cili fillimisht u ndalua pasi kishte shkelur rregullat sa i përket shpejtësisë së lëvizjes. Kontrolli në veturën e tij u bë sebep që të zbulohet se posedon armë pa autorizim. Edhe ndaj tij, pas shoqërimit dhe intervistimit nga hetuesit policorë, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Të ngjashme