Kosovarët edhe këtë vit janë përballur me ndalime nga autoritetet serbe. Pas lirimit të vëllezërve Emini nga Rahoveci, të arrestuar javën e kaluar, disa raste të tjera mbeten ende të hapura – përfshirë atë të ish-policit Arbnor Spahiu dhe të Behar Preniqit.
Vëllezërit nga Rahoveci, Xhemajl dhe Bashkim Emini, të cilët para një jave u arrestuan nga autoritetet serbe, janë liruar tashmë nga mbajtja.
Lajmi u konfirmua nga kryetari i degës së OVL-UÇK në Rahovec, Qemajl Krasniqi, i cili për Klankosova.tv tha se pas lirimit, vëllezërit janë kthyer menjëherë në Gjermani ku edhe jetojnë dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Xhemajli dhe Bashkimi u arrestuan nga Serbia nën dyshimin për “kryerjen e një krimi lufte kundër popullsisë civile me disa anëtarë të UÇK-së më 9 gusht të vitit 1999”. Por në fakt, ata nuk kanë qenë asnjëherë pjesëtarë të UÇK-së dhe nuk janë të përfshirë në asnjë listë.
Vëllezërit Emini nuk janë të vetmit që u prangosën në Serbi, pasi autoritetet e këtij shteti sivjet kanë ndaluar edhe qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës, duke ngritur akuza për krime lufte dhe përfshirje në ngjarje të dhunshme.
I tillë është rasti i ish-policit Arbnor Spahiu, i cili vazhdon të jetë akoma i burgosur në Serbi, pas ndalimit të tij më 7 qershor të këtij viti. Siç pretendon shteti serb, ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, ku në shtator të vitit 2023 një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës dhe gjatë sulmit, u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve me armë atë kohë, u vranë edhe tre sulmues serbë.