Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme, për heqjen e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave, raporton EkonomiaOnline.
Deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku në emër të iniciuesit të seancës, tha se për nocionin homologim qytetarët dijnë shumë pak, andaj është e rëndësishme që të diskutohet për këtë temë.
Ai tha se kontrata e nënshkruar në afat prej 10 vjetësh nga ministrat e asaj kohe është bërë pa ndonjë analizë rreth çmimeve.
“Derisa marrëveshja nuk përcakton afat të vlefshmërisë është vënë në periudhë dhjetë vjeçare. Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me forum të shërbimit publik ministrat e asaj kohe kanë marrë vendim për çmimin e homologimit me çmim prej 100 euro, rimorkio 150 dhe kamionë 200. Nuk është dhënë asnjë analizë si janë dhënë këto çmime. Në aspektin financiar homologimi dhe mbikëqyrja arrin shumën deri në katër milionë euro që paguajnë qytetarët për çdo vit.
Zharku komentoi deklaratat e ministrit Lekaj i cili për çështjen e homologimit fajëson Ligjin për Automjete.
“Janë për keqardhje këto deklarata. Si mundet një ministër të ankohet për infrastrukturën ligjore. Qeveria politikat e tilla duhet t’i vënë me ligje që të mos jenë në kundërshtim me kushtetutën. Pres nga ministri të mbrojë politikën e vendit e jo të thirret me dispozita që nuk kanë lidhje me këtë. Ligji për automjete jo vetëm që krijon kushte por ofron liberalizim të plotë në fushën e homologimit”, tha ai.
Ai dha tri propozime.
“ 1. Të shfuqizohet udhëzimi administrativ për procedurën për homologim i ministrisë së infrastrukturës.
2. Të hyjë në fuqi një udhëzim administrativ i ri.
3. Deri në fund të vitit të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve”, tha Zharku.