Në pritje të liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shpenzojnë me miliona euro nga xhepi i tyre çdo vit për viza Shengen
Shifrat tregojnë që vetëm në vitin 2018, kur shumëkush besonte që më në fund Zona Shengen do të hapte krahët për kosovarët që donin të vizitonin shtetet anëtare, kosovarët në fakt harxhuan rreth 3 milionë euro për të marrë një të tillë.
E, një pjesë e mirë e këtyre parave shkuan dëm, për shkak të numrit të refuzimit të vizave.Sipas statistikave të publikuara nga VisaWorld.Guide, ambasadat evropiane në Kosovë pranuan 90,840 aplikime për viza Shengen në vitin 2018.
21.6% prej këtyre aplikimeve morën përgjigje negative, që është një përqindje shumë më e lartë sesa mesatarja prej 9.6% për të gjitha shtetet e botës.
Për më tepër, edhe ata që u bënë me viza, një pjesë e madhe e tyre morri leje që të vizitojë vetëm një pjesë të Shengenit.
Përderisa një vizë Shengen lejon një person të udhëtojë nëpër të 26-të shtetet e kësaj zone, vizat me vlefshmëri të kufizuar territorial e lejojnë udhëtarin të vizitojë vetëm një numër të kufizuar të këtyre shteteve.
Në vitin 2018, 63,424 kosovarë që rezultuan të suksesshëm me aplikimin e tyre për vizë, në fakt morën viza me vlefshmëri të limituar territorial. Për vite me radhë, shtetet e Shengenit u lëshojnë kosovarëve viza me vlefshmëri të limituar. Vitin e kaluar, më tepër se gjysma e këtij lloji vizash që u lëshuan nga këto vende ishin për kosovarët.
Përderisa edhe shtetet afrikane marrin shumë pak këso lloj vize Shengen, arsyeja kryesore pse ato iu lëshohen kosovarëve në numër të madh është për shkak të disa nga shteteve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën si të pavarur.
Sipas statistikave, numri i kosovarëve që aplikuan për Vizë Shengen në vitet e fundit është si në vijim:
Në vitin 2018, 90,840 kosovarë aplikuan për viza Shengen.
Në vitin 2017, 90,475 kosovarë aplikuan për viza Shengen.
Në vitin 2016, 77,796 kosovarë aplikuan për viza Shengen.
Në vitin 2015, 80,173 kosovarë aplikuan për viza Shengen.
Në vitin 2014, 74,285 kosovarë aplikuan për viza Shengen.
Megjithëse çmimi normal për një vizë Schengen është 60 euro, për shkak të marrëveshjeve me BE-në kosovarët paguajnë vetëm 35 euro për një aplikim për disa nga shtetet e Schengenit.
Pagesa prej 60 eurosh bëhet vetëm për vizat që lëshohen nga Austria, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Islanda, Italia, Latvia, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Spanja dhe Zvicra. Fëmijët nën moshën 6 vjeçe, dhe disa kategori të tjera janë të liruar nga kjo pagesë. Duke marrë parasysh këtë çmim, i bie se kosovarët kanë paguar të paktën 3 milionë euro vetëm në vitin 2018./ gazetaexpress