Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ka mbajtur debatin me temën “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Fillimi i fundit”, për të diskutuar disponimin në Bruksel dhe në vendet anëtare dhe për të analizuar rrugën e mbetur të Kosovës deri në liberalizimin e vizave, raporton Ekonomia Online.
Në hapje të debatit, Lura Limani, nga KFOS, bëri të ditur se diskutimi i sotëm është pjesë e serisë “Bisedat e Hapura”. Ajo theksoi se së bashku me partnerët nga organizatat e shoqërisë civile për shumë vite kanë punuar që qytetarëve të Kosovës t’iu mundësohet të lëvizin lirshëm.
“Ne si Fondacion kemi punuar së bashku me partnerët tanë të shoqërisë civile me vite të tëra për njohjen e të drejtës shumë bazike të lëvizjes se lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen”.
“Në vitin 2015 kemi zhvilluar një kampanjë mbarëkombëtare drejtuar Brukselit dhe shteteve anëtare, ku kemi mobilizuar mbi 50 mijë qytetarë të Kosovës, kemi nënshkruar peticion dhe e kemi dorëzuar në BE, me kërkese e vetme që tu njihet kjo e drejtë qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të vetmit në Ballkanin Perëndimore që nuk e kanë të drejtën e lëvizjes”, tha ajo.
Limani theksoi se duket se kjo e drejtë e mohuar për kosovarët është më afër se kurrë për t’u realizuar, dhe në këtë debat do të diskutohet se çka mund të pritet në muajt në vazhdim.
Gazetarët Gjeraqina Tuhina dhe Augustin Palokaj, të cilët raportojnë qe shumë vjet nga kryeqendra evropiane, kanë prezantuar analizën mbi procesin e liberalizimit të vizave të titulluar “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Fillimi i fundit”.
Penalistët thanë se në rast të tensionimit të situatës në veri të vendit mund të ketë ndikim të shtet skeptike.
Tuhina vlerësoi se lufta në Ukrainë, agresioni rus, por edhe plotësimi i kritereve, kanë shtyrë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Në sytë tanë, ka pasur një lidhje joformale të liberalizimit me procesin e dialogut dhe jo asaj që ndodhi më vonë. Çfarë ndodhi më vonë ishte 13 tetori dhe fjala ETIAS ishte fjala më e kërkuar në Kosovë në Google. Diçka e papritur, por jo e palogjikshme”, tha ajo.
Ajo tha se Grupi Punues i Komisionit Evropian pritet të takohet me 16 nëntor, ku do të procedojë dokumentin për liberalizimin e vizave.
Prandaj, sipas Tuhinës, nëse nuk do të ketë kundërshtime nga shtetet anëtare, pritet që nga 1 dhjetori i vitit 2023 kosovarët të lëvizin pa viza.
“Kanë treguar përafrim të qëndrimeve të një grupi tjetër të shteteve që kanë insistuar që megjithë, kosovarët pavarësisht ETIAS-it ta kenë edhe datën e qartë se kur është momenti i fundit që të nisë liberalizimi i vizave. U gjet një formulim i kompromisit në mes të dy grupeve të shteteve”.
“Formulimi i cili përfshin zbatimin e liberalizimit e vizave me ETIAS-in plotësisht operacional, në rast të zvarritjeve, kosovarët e kanë 1 dhjetorin si afat të fundit kur do ta gëzojnë lirinë e lëvizjes. Tani kjo procedurë është në procedurë të heshtur, kemi edhe dy ditë deri të mërkurën, deri në orën 14, që shtetet anëtare ta miratojnë këtë tekst. Nëse deri të mërkurën asnjë shtet nuk ka vërejtje teksti konsiderohet i miratuar”, tha ajo.
Pra, Tuhina shpjegoi se të mërkurën do të merret përfundimisht vesh nëse data e heqjes së vizave për kosovarët do të jetë 1 nëntori apo 1 dhjetori, 2023.
“I kemi edhe dy ditë deri të mërkurën në orën 14:00 për t’u miratuar data e heqjes së vizave. Nëse deri në atë afat asnjë nga shtetet anëtare nuk del me vërejtje, atëherë pas këtij afati nisin procedurat formale dhe nuk ka më kthim mbrapa. Me shpresë, që nga e mërkura do ta dimë datën e saktë të liberalizimit të vizave, se a do të jetë 1 nëntori apo 1 dhjetori 2023”, tha ajo.
Gazetari Augustin Palokaj tha se nuk beson që dialogu ka qenë pengesë për liberalizimin e vizave.
Ai u shpreh se tani është koha e fundit e ankimit dhe vajtimit për mosliberalizim, ngase sipas tij, është koha e numërimit të ditëve kur do të ndodhë liberalizimi.
“Zakonisht në BE nuk ekziston një arsye, por shumë. Situata në Ukrainë ka bërë që të shtyhet procesi i liberalizimit, po ashtu edhe plotësimi i kritereve nga Kosova dhe vazhdimin e përmbushjes së kritereve. Fakti se janë bindur se Kosova, edhe pse nuk ka liberalizim, ka suksesin më të madh në pranimin e atyre që ilegalisht kanë qëndruar në BE”.
“Unë besoj që tash prej vajtimi dhe ankimit po hyjmë në një fazë të numërimit, numërimit të ditëve që do të liberalizohen vizat. Nuk besoj që liberalizimi ka qenë i lidhur me dialogun. Unë jam i bindur që demarkacioni nuk ka qenë fare i lidhur me liberalizim, por është përdorur. Këtë e pamë kur ndodhi demarkacioni dhe nuk ndodhi liberalizimi”.
“Dialogu nuk ka ndikim, por tensionet e dialogut mund të kenë ndikim tekë të huajt. Nëse kalon propozim i grupit punues atëherë kjo do të hyjë në fuqi me 1 dhjetor të viti tjetër”, tha ai.
Jeta Tela, shefe e Kabinetit e ministrit të Punëve të Brendshme, tha se kjo ministri ka pasur bisedime të rregullta për çështjen e procesit të liberalizimit të vizave me shtete anëtare, e sidomos me Francën.
“Është e vërtet se ne si ministri kemi filluar të punojmë shumë ngushtë me të gjitha shtetet anëtare dhe me ato shtete që kanë qenë me skeptike për liberalizim, e këtu e kam fjalën për Francën. Që nga qershori i vitit të kaluar, kur e kemi pasur takimin e parë, Ministria e Brendshme e Kosovës me Ministrinë e Brendshme të Francës, i kemi diskutuar të gjitha këto hezitime që atë kanë pasur në raport me Kosovën”.
“Kemi vazhduar me takime në vazhdimësi gjatë këtyre muajve. Kemi pasur edhe një delegacion nga Franca. Aty u diskutuar rëndësia për ta shtyrë përpara liberalizimin e vizave. U dakorduam që shumë shpejt këtë ta kthejmë në një plan. Gjatë kësaj vizite kemi marr një ‘feed-back’ pozitiv dhe besoj që kjo do të kompletohet në javët dhe muajt në vazhdim”, tha ajo.
Demush Shasha, drejtor Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), tha se pengesë e liberalizimit të vizave kanë qenë dialogu, konsensusi politik si dhe sundimi i ligjit, raporton EO.
“Çfarë mund të na shërbej liberalizimi i vizave që të nxjerrim disa mësime që do të aplikohen në procesin tonë integrues që do të na përcjellin për anëtarësim në BE. E para, procesi i liberalizimit të vizave sikur se agjenda integruese, që në zanafillë të saj ka qenë e lidhur me dialogun. E dyta, kush ka qenë problemi për liberalizim. Në vitin 2016, nuk ka qenë problem demarkacioni”.
“Për shkak të mungesës së konsensusit për interesa politike, në vitin 2016 e humbëm liberalizimin e vizave. Gabimi i tretë është sundimi i ligjit, përkundër marrëveshjes së ratifikuar, liberalizimi nuk ndodhi. Duke shikuar mbrapa në kohë duhet të kujdesemi që të mos bëjmë gabime në të ardhmen”, u shpreh Shasha.