Kosovari e mashtroi një grua në Tiranë duke ia marrë 135 mijë euro

Prishtinë | 25 Pri 2022 | 12:55 | Nga Ekonomia Online

Me pretekstin se i janë bllokuar llogaritë bankare në Zvicër, 30-vjeçari nga Kosova, Q. K., ka futur në “grackë”, pronaren e një hoteli në Tiranë, duke i marrë shumë të konsiderueshme parash.

Top Channel ka raportuar të hënën se kosovari tashmë është arrestuar për mashtrim.

Në dosje thuhet se Q.K. ka qëndruar për një kohë të gjatë në hotelin e gruas nga Tirana dhe siç thuhet, krijuan lidhje të ngushtë miqësore dhe gruaja u përkujdes për të edhe gjatë pandemisë, pasi u prek nga COVID-19.

“Në muajin gusht 2021 ky shtetas, i ka kërkuar kallëzues në formë borxhi një shumë prej 50 mijë euro me justifikimin se i kishin bllokuar llogaritë bankare në Zvicër dhe është lutur që ta ndihmonte, shumë të cilën kallëzuesja ia ka dhënë. Q.K. Krasniqi i ka kërkuar sërish shuma të ndryshme monetare në vlerat 28 mijë euro, 20 mijë euro si edhe një shumë prej 6 mijë euro. Sipas kallëzueses shuma totale arrin në vlerën e 135 mijë euro. Kallëzuesja i ka kërkuar t’ia kthejë paratë, por ai i ka thënë se do ia kthente të gjithë shumën bashkë”, thuhet në dosjen hetimore.

Pronarja e hotelit thotë se komunikimet kanë vijuar për një kohë të gjatë me 30-vjeçarin nga Kosova, ndërsa në dhjetor të vitit të shkuar ai ka ndërprerë çdo lloj komunikimi.

30-vjeçari nga Kosova u ndalua të premten e kaluar, ku është marrë në pyetje teksa tentonte të hynte në Shqipëri. Ai ka pohuar se ia ka marrë një shumë prej 87.000 euro gruas në fjalë dhe se këtë shumë e ka investuar në bursë (FOREX).

Ai tha se investimin e ka kryer te një shtetas nga Maqedonia e Veriut, të cilin e njeh me emrin Rinor.

Në dëshminë e tij, ai ka rrëfyer se ia ka marrë edhe një shumë të konsiderueshme parash edhe një mjekeje.

Të ngjashme