Një kosovar ka humbur jetën sot në një aksident të rëndë trafiku në zonën Tuupakka të Vantaas, në Finlandë.
Sipas policisë finlandeze, aksidenti ka ndodhur pasi një veturë, gjatë ndërrimit të korsisë, është përplasur me një motoçikletë. Si pasojë e përplasjes së fuqishme, drejtuesi i motoçikletës ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Policia, ekipet e shpëtimit dhe shërbimet e urgjencës mjekësore janë njoftuar për aksidentin rreth orës 12:29.
Autoritetet bëjnë të ditur se drejtuesi i veturës dyshohet për drejtim të rëndë të automjetit nën ndikimin e alkoolit, rrezikim të rëndë të sigurisë në komunikacion, si dhe shkaktim të rëndë të vdekjes nga pakujdesia.
Ndërkohë, familjarët kanë njoftuar përmes rrjeteve sociale se viktima është Mehmet Gashi.
Policia e Itä-Uusimaa po vazhdon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit tragjik.