Kosovari Anton Krasniqi është bërë personazh i dokumentarit më të ri të Netflix, të lansuar të mërkurën. Bëhet fjalë për projektin “Vrasësi i vajzës sime”, që bazohet në ngjarjen e vërtetë të vrasjes së 14 vjeçares, Kalinka Bamberski në Gjermani, më 1982.
Në këtë rrëfim të dhimbshëm, ku doli se fajtor ishte njerku i saj Dieter Krombach për drogim e dhunim të saj, Krasniqi del se ishte shfaqur vullnetar për ta ndihmuar të atin e viktimës për ta rrëmbyer të dyshuarin dhe dërguar para drejtësisë në Francë, ku banonte ai. Kjo, meqë autoritetet gjermane e kishin lënë të lirë dhe nuk e ekstradonin, raporton TheCinemaholic.com, transmeton Klankosova.tv.
Kosovari ishte duke punuar si barmen në një hotel në Austri në vitin 2009, kur kishte dëgjuar një detektiv duke folur për interesimin e një prindi që të gjej ndihmës për rrëmbimin e njeriut që dyshon se ia ka vrarë të bijën, gati 3 dekada më parë.
Ai i ishte paraqitur Andre Bamberskit që kërkonte drejtësi, dhe i kishte premtuar se do t’ia sillte Krombachun të gjallë në Francë. E prindi, siç kishte pranuar vet më vonë, ia kishte bërë me këmbëngulje një pagesë prej 20.000 mijë euro, të paktën për shpenzimet.
Krasniqi, bashkë me dy persona që thuhet të ishin rusë e kishte përfunduar misionin me sukses, duke e sjell gjermanin të lidhur në qytetin Mulhouse të Francës, ku menjëherë me telefonatë anonime e kishin njoftuar policinë për vendodhjen e personit të kërkuar.
Falë disa lëshimeve të Krasniqit, policia franceze e kishte arrestuar atë menjëherë si të dyshuar për rrëmbimin, duke ia gjetur 19 mijë euro që i ishin dhënë nga porositësi i operacionit ilegal.
Kosovari bashkë me njërin nga bashkëpunëtorët, do të dënohej me një vit burgim, por duke pranuar se nuk pendohet për veprimin e bërë, transmeton Klankososova.tv.
Në gjykimin në Francë, gjermani Krombach ishte gjetur fajtor dhe dënuar më 2009 me 15 vjet burgim për vrasje të paqëllimshme, por ishte liruar në shkurtin e vitit 2020 për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, nga e cila ndërroi jetë 9 muaj më vonë, në moshën 85 vjecare.
Ishte babai i vajzës, ai që për gati 3 dekada kishte mbledhur dëshmi për vrasjen. E këtij verzioni në fillim nuk i besonte as nëna e viktimës e martuar me mjekun, por kundër këtij të fundit më pas dëshmuan edhe viktima tjera të drogimit e dhunimit.
E Krasniqi, sipas Netflix që i ka intervistuar të gjithë akterët e gjallë të kësaj drame, vazhdon të jetoj në Bregenz të Austrisë, larg medieve, bashkë me familjen që është krenare me veprimin e tij.