Deniza Miftari, 22 vjeçare me origjinë nga Kosova, është zgjedhur anëtare e këshillit të komunës Roeselare në Belgjikë, pas votimeve të fundit atje.
Ajo përfaqëson Partinë e Gjelbër, dhe është anëtarja më e re e saj, që merr një post kaq të lartë në strukturat lokale.
Deniza Miftari, njihet për përfshirjen e saj në çështjet sociale, kulturore, studentore dhe është editorialiste për të drejtat e njeriut.
Miftari, shtetase belge tashmë, ka lindur në Kosovë dhe u zhvendos në Roselare kur ishte shtatë vjeç, transmeton tch.
“Me zgjedhje time si anëtare e këshillit të komunës, shpresoj të vë në dukje çështje prioritare si, zhvillimi i qëndrueshëm i Roselare dhe kthimi i tij në një vend tërheqës”, thotë Miftari.
Si prioritete të punës së saj 22 vjeçarja me origjinë nga Kosova përmend edhe projektet e integrimit të imigrantëve dhe atyre për të rinjtë, raporton portali belg KW.
Deniza Miftari kandidoi në zgjedhje me programin e saj të fokusuar te pjesëmarrja e të rinjve në vëndimarrje.
“E ardhmja është e jona dhe për këtë arsye ne duhet të marrim drejtimin gjithnjë e më shumë”, deklaroi ajo.
Sipas Miftarit, ka një distancim te personat me prejardhje të ndryshme kulturore.
“Diversiteti gjithnjë e më shumë duhet të shihet si një pasuri dhe jo si pengesë. Ne duam ta shndërrojmë Roeselare në një vend të sigurt për të gjithë, pavarësisht nga besimit fetar, kulturës apo moshës”, thotë ajo.