Kosovë-Turqi, Policia njofton për bllokime të përkohshme të disa rrugëve në kryeqytet

Prishtinë | 31 Mar 2026 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë “masa të shtuara të sigurisë” në prag të ndeshjes play off-it ndërmjet Kosovës dhe Turqisë për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026.

Para, gjatë dhe pas ndeshjes, Policia tha se do të angazhohen më intensivisht “për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”.

“Policia e Kosovës njofton qytetarët se me datë 31 mars 2026, duke filluar nga ora 20:45, në Stadiumi Fadil Vokrri do të zhvillohet ndeshja finale e play-off-it për FIFA World Cup 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të kësaj ndeshjeje, janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organizatorët. Policia e Kosovës, së bashku me strukturat mbështetëse angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes”, thuhet në njoftim.

Policia tha se do të ketë prani të shtuar policore në disa zona të kryeqytetit dhe se do të ketë “bllokime të përkohshme” të disa rrugëve.

“Do të ketë prani të shtuar policore në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”: Me qëllim të lëvizjes së delegacioneve, lehtësimit në qarkullim dhe zhvillimit të ndeshjes, do të ketë bllokime të përkohshme të rrugëve: lokale dhe Nacionale si në vijim rrugët: Tring Ismajli, Agim Ramadani, Eqrem Çabej, Semaforat kryesore, Bulevardi Bill Clinton, Rrethi te Stacioni i Autobusëve, Rruga Hekurudhat, Rruga Tirana (drejt stadiumit), ndërsa gjatë Largimi nga stadiumi drejt aeroportit: Rruga Tirana, Arbëria, rr. Ahmet Krasniqi dhe Autostrada (drejt aeroportit)”.

“Rrugë të tjera kanë kufizime të përkohshme në Perimetrin rreth stadiumit, rr. Luan Haradinaj (deri te Ministria e Drejtësisë) dhe rr. Fehmi Agani. Këto bllokime do të jenë të përkohshme dhe do të realizohen në intervale kohore, varësisht nga lëvizjet zyrtare dhe nevojat e lehtësimit ne trafikun rrugor”, thuhet në njoftim.

Policia u bën thirrje qytetarëve që t’i respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren.

“Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që: Të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren, të përdorin rrugë alternative kur është e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Siguria dhe mbarëvajtja e kësaj ngjarje sportive është përgjegjësi e përbashkët. Ftojmë qytetarët për mbështetje dhe respektim të rendit publik”. thuhet në njoftim.

Të ngjashme