Kosovën e viziton sot Shefi i Forcave të Armatosura të Zvicrës

Prishtinë | 19 Dhj 2024 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Të enjten, në Kosovë do të qëndrojë Shefi i Forcave të Armatosura të Zvicrës, Komandanti Thomas Sussli.

Vizita e tij do të përqendrohet në trupat e vendit të tij që kontribuojnë në KFOR.

Me këtë rast, njoftohet se ai do të takohet edhe me Komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, raporton Klankosova.tv.

Gjatë vizitës, Shefi i Forcave të Armatosura zvicerane synon të bisedojë me ushtarët zviceranë të dislokuar në Kosovë dhe të mbledhë përshtypjet për shërbimet e ndryshme që i ofrohen KFOR-it.

“Me këtë rast është paraparë një takim bilateral me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani të Forcave të Armatosura të Italisë. Mandati i Forcave të Armatosura të Zvicrës për KFOR-in u rinovua në vitin 2023 dhe zgjat deri në fund të vitit 2026”, thuhet në një njoftim të Qeverisë Federale zvicerane.

Më pas, shefi i ushtrisë zvicerane do të udhëtojë në Bosnje dhe Hercegovinë për të marrë një pasqyrë të situatës në rajon.

“Ndërtimi i paqes ushtarake në operacionet shumëkombëshe është një nga tre misionet e Forcave të Armatosura të Zvicrës. Aktualisht, rreth 300 gra dhe burra nga një gamë e gjerë gradash janë të përkushtuara për paqen në më shumë se 15 vende”, u tha në njoftimin qeveritar.

Të ngjashme