Kosovës i duhen më shumë mjekë e mjete për ta luftuar Coronavirusin

Prishtinë | 31 Jan 2020 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Në rast të përhapjes së virusit kinez, koronavirusit, Klinikës Infektive në QKUK duhet t’i dalin në ndihmë edhe infektologët tjerë jashtë kësaj Klinike e po ashtu t’i ofrohen masat për t’u mbrojtur nga ky virus.

Deri më tani koronavirusi ua ka marrë jetën 170 personave dhe ka prekur rreth 8 mijë qytetarë kinezë, shkruan gazeta “Zëri”.

Në mbi 16 shtete ka filluar të përhapet virusi kinez – koronavirusi, i cili ua ka marrë jetën mbi 170 personave. Derisa ky virus ka filluar të përhapet edhe në Evropë, Kosova po ashtu rrezikohet nga ai.

Në rast të paraqitjes së rasteve të prekura me këtë virus në Kosovë, Qendrës Klinike Universitare të Kosovës do t’i duhen më shumë mjekë për t’i trajtuar qytetarët e infektuar e për ta mbajtur gjendjen në kontroll.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha, ka thënë se asnjë rast deri tani në Kosovë nuk dyshohet se është i infektuar dhe se stafi i kësaj Klinike është i përgatitur për ta menaxhuar gjendjen në rast se paraqiten raste të prekura me koronavirusin.

Ajo ka deklaruar se nëse krijohet gjendja e jashtëzakonshme, atëherë do të kërkojnë ndihmë edhe nga infektologët tjerë, të cilët punojnë në spitalet rajonale.

“Sa për fillim ne e kemi stafin tonë dhe po mendoj se mundemi ta përballojmë situatën në rast të paraqitjes. Ne jemi të përgatitur me stafin që tani e kemi. Në qoftë se kemi nevojë e nëse krijohet një situatë e jashtëzakonshme i kemi në disponim edhe infektologët, të cilët janë nëpër regjione dhe janë duke punuar nëpër spitale”, ka thënë ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme