Sa herë që njeriu mendon për të majtën europiane, socialdemokratët e socialistët, laburistët e demokratët e majtë, shikuar nga prizma jonë, në Gadishullin Ballkanik, apo siç sot e quajmë, Ballkani Perëndimor, në mendje më shkojnë dy politikanë. Të dy serbë, njëri i fillimit të shekullit të kaluar e tjetri i fund/fillimit të këtij shekulli. Besoj që të dy emrat tingëllojnë në veshët e çdokujt diçka të njohur…
Emri i të parit është Dimitrije Tucoviq, një prej vizionarëve të parë në Europë e botë për të majtën si ide e veprim por edhe luftëtarë për të drejtat etnike të popujve fqinjë dhe promotor i paqes mes serbëve e shqiptarëve. Vepra e Dimitrije Tucoviqit, “Serbët dhe Shqiptarët” ishte shkresa profetike e gjithë lëmshit që në Ballkan për një shekull na ngjau. Nga lufta e Parë dhe Dytë Botërore dhe deri tek shkelja e saj që po një i majtë, një “socialist”, Milosheviq, i cili majtizmin e pati vetëm uniformë për nacionalizmin dhe luftërat e tmerrshme që na i shkaktoi të gjithë neve në Ballkan – përfshirë edhe popullin e vet- serbët.
Në Ballkan sa herë bëhen sfilata në histori, dhe kjo ngjet shpesh, e tëra përfundon me moton tashmë të famshme: të gjithë janë ngapak fajtorë, asnjë nuk është krejtësisht i pastër, prandaj të gjithë duhet ta bartin gurin e fajësisë- deri në përjetësi. Por ajo që është e rëndësishme të thuhet me: askush në Europë nuk ka patur më shumë aspirata por edhe eksperimentime e vuajtje të tmerrshme, me konflikte, luftëra, e trauma pasluftërash, sikurse popujt ne në Ballkan.
Derisa në njërën anë kishim vizionarin e parë, Dimitrije Tucoviq, pasuan idealistët tjerë pas tij në nga popuj e parti tjera të majta të cilët ose humbën jetën për ideal ose u shndërruan në diktatorë (Tito, Enver Hoxha, Çaushesku, Zhivkov etj.) që sunduan popuj e shtete… dhe të gjithë ne përfunduam në duart e një aparatçiku, Milosheviqit, i cili në emër të socializmit, përmes një nacionalizmi të paparë shkaktoi aq shumë vuajtje për të gjithë ne, e ndoshta më së shumti për vet popullin e tij, serbët.
Duke e lënë anash specialistin ndoshta edhe të paftuar për Ballkanin e historinë e tij, po e marr përsipër të shprehem vetëm për Republikën nga e cila vij, shtetin më të ri të Europës, Kosovën.
Nuk do mend që secili prej nesh kemi nga një rrëfim për Kosovën dhe emocionin që ky konflikt ka ngjallur dhe pse jo vazhdon të ngjallë. Sidomos e majta europiane, diku më shumë e diku më pak, ka patur vështirësitë e saj me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999. Por pa këta politikanë me bindje majtiste angazhimi në fjalë dhe përmbyllja e luftërave në ish-Jugosllavi do të ishte e pamundur. Me një Sekretar Gjeneral të NATO-s, spanjollin Javier Solana, socialist, me një qeveri të socialdemokratësh e të Gjelbërish gjermanë (Schroeder Fischer), me një të majtë të spikatur italian në krye të qeverisë, Massimo D’alema e kështu me radhë, pa një rezolutë nga OKB u ndërhy ndaj një shteti për hir të, siç do të thoshte ideologu më i madh i gjallë i gjerman- po i majtë!, Juergen Habermass, intervenimit humanitar!
Nuk do mend që sidomos e majta europiane ka patur dhe ka vështirësitë e saj me atë intervenim të NATO-s. Por ajo që është e rëndësishme të potencohet është se në Kosovë ka qenë dhe edhe sot e kësaj dite është se gati dy dekada nga lufta e vitit 1999, është pothuajse e pamundur të jesh i majtë, e pafalshme ta quash veten socialist dhe me shumë rreziqe, prandaj edhe kujdes, nëse partia së cilës i takon quhet Socialdemokrate. Kjo jo vetëm për shkak të hamendjes krejtësisht legjitime të së majtës në fundshekullin e kaluar por për shkakun sa banal aq edhe të vërtetë: partia që ish-diktatori serb drejtonte quhej Socialiste.
Thuhen krejt këto jo pse është e pamundshme të jesh i majtë në Kosovë por thjesht që duhet shumë më shumë punë, angazhim, bindje dhe para së gjithash organizim të bësh politikë të majtë në Kosovë.
Në Kosovë, zhvillimin e politikave reale socialdemokrate e dominon partia NISMA, e cila brenda dy palë zgjedhjesh në të cilat ka marrë pjesë, ka qenë faktor kyç qoftë në të bërit të punës së opozitës ashtu edhe në Qeverisjen e sotme të Republikës së Kosovës. Politikat që kjo parti zbaton janë të majta dhe ato pos që po zbatohen në programin qeveritar edhe po u kumtohen qytetarëve. Qoftë orientimi në politikat e majta ashtu edhe proklamimi i tyre kanë hasur dhe vazhdojnë të hasin në rritje të madhe të potencialit të partisë. Ajo që tashti na duhet është çasti: roli në socialdemokracinë e re të Kosovës është jetik sepse ka abuzime të mëdha në emër të politikave të djathta por edhe në emër të së majtës dhe ka tendenca për demonizimin e atyre që proklamojnë politika majtiste.
Kosovës i duhen modele dhe politika të majta, i duhen socialdemokratë siç është Liderja e Socialdemokratëve të Gjermanisë (SPD) Zonja Andrea Nahles e cila në cilësinë e Ministres së Punës në Qeverinë e kaluar mori vendimin fondamental i cili preku për të mirë gjithë Ballkanin. Ligji i saj që qytetarëve të Ballkanit t’u mundësohet punësimi në Gjermani me garantimin e vendit dhe mëpas vizës së Punës ka qenë një arritje e shkëlqyeshme për nevojat e tregut të punës në Gjermani por edhe lehtësimin e tregut të stërngarkuar të punës në Kosovë dhe Ballkan. Fakti që vetëm brenda dy vitesh sa është aprovuar ky ligj nga Ballkani në Gjermani kanë shkuar rreth 100.000 qytetarë me viza pune flet vet. Neve, si socialdemokratë na takon që të punojmë edhe më shumë në profilizimin e kësaj force të punës përmes shkollave profesionale në mënyrë që edhe tregu ynë i punës të jetë i gatshëm përmes kuadrove të shkolluara të presë sa më shumë fuqi punëtore. Na duhen edhe shkëmbime tjera të profileve partiake dhe ekspertë që na shtyjnë para me ekspertizat e tyre në hartimet e politikave të majta. Nga rajoni prej partive simotra, nga Bashkimi Europian përmes partive simotra që na përkrahin në shtrirjen e strukturave partiake dhe sidomos vendosjen e modeleve siç është ai i modelit një anëtar një votë e kështu me radhë.
Natyrisht që ende jemi larg hartimit të standardeve dhe politikave të majta të nivelit çfarë partitë simotra në BE kanë. Por, fakti që në vende fqinje, duke filluar nga Sllovenia përmes Kroacisë e deri në Shqipëri apo Greqi ku të majtët ishin apo janë në pushtet, na jep shpresën por edhe na motivon që të mos ndalemi në angazhimin tonë për një jetë më të mirë të qytetarëve tanë dhe për krijimin e një klime politike e cila në radhë të parë e ka qytetarin: nga fëmijët e tij që përmes shkollimit e profesionalizimit dhe deri tek mbrojtja e të drejtave të tyre deri në pensionim.
Ajo që ne që synojmë të bëhemi pjesë e BE-së nga Ballkani Perëndimor na motivon është fakti i pamohueshëm që kemi mbështetje të madhe nga vendet tona fqinje që tashmë janë anëtarë të BE-së. Kjo natyrisht që na e shton obligimin që të jemi sa më të kujdesshëm drejt këtyre proceseve sepse e dimë që në shtetet Anëtare të BE-së ka fryma të forta anti-zgjerim. Prandaj përkrahja e partive të majta socialdemokratike qoftë në Institucionet e BE-së, Këshill, Komision, Parlament Europian e aparate tjera na obligon të jemi sa më efektiv në punën tonë sepse sa është i vështirë anëtarësimi, po aq i rrezikshëm është mosanëtarësimi, për neve dhe krejt Europën.
S’ka dyshim që sot e majta është para dilemave fondamentale të cilat sidomos në Rajonin e Ballkanit Perëndimor do të duhej të na bashkonin si parti të një ideologjie. Globalizimi në njërën anë dhe hiperzhvillimi teknologjik… natyrisht që na ka vënë para dilemave të cilat kërkojnë zgjidhje. Sidomos zhvillimi teknologjik në fushën e IT-së, dhe me këtë edhe rrezikimi i qoftë vendeve të punës ashtu edhe shtrirjes së këtyre vendeve të punës në vende në zhvillim siç jemi ne në Ballkan duhet të na bashkojë në diskutimin dhe shkëmbimin e përvojave tona në mënyrë që profili i majtë, mbrojtja e qytetarit dhe punëtorit të vazhdon të jetë prioritet i politikave të tashme dhe ardhme- të majta- për mirëqenien e qytetarëve.