Rezultatet e prodhuara nga zgjedhjet e 11 qershorit kanë rikthyer Kosovën në vitin 2014 me disa ndryshime dhe rirreshtime të vogla partish. Protagonist është përsëri PDK-ja, vetëm se këtë herë me vete ka edhe AAK-në e Ramush Haradinajt e “Nismën” e Fatmir Limajt.
PAN-i, si koalicioni që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, do të ketë të drejtën për të krijuar Qeverinë, ashtu siç PDK-ja kishte në vitin 2014.
Mirëpo, në situatën aktuale PAN-i ka vetëm 39 deputetë dhe së bashku me minoritetet nuk mund të shkojnë në më shumë se 59 sish. Në këtë rast atyre u duhen të paktën edhe 2 deputetë nga koalicioni LAA. Deri më tash Lidhja Demokratike e Kosovës, AKR-ja e dhe Alternativa, të cilat krijojnë koalicionin LAA, kanë dalë me deklarata zyrtare se nuk do të mbështesin PAN-in për krijimin e Qeverisë, shkruan Zëri.
Në këtë rast, analistët kosovarë parashikojnë përsëritjen e situatës së vitit 2014, ku nuk ishte arritur që të formohej qeveria për muaj të tërë. Megjithatë ata shtojnë se bllokadë apo jo, kjo varet edhe nga ushtrimi i maturisë së presidentit Thaçi.