Me Hekuran Kryeziun të gatshëm, pozita e mesfushorit defensiv ka qenë prej më stabileve në përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Në mungesë të Kryeziut, ajo pozitë është shndërruar prej më problematikeve. Ka pasur vlerësime se ajo nuk është mbuluar si duhet, apo të paktën nuk është mbuluar si nga Kryeziu.
Përzgjedhësi Bernard Challandes, ka provuar disa lojtarë në këtë pozitë, duke përfshirë Idriz Vocën, Ibrahim Dresheviqin, Anel Rashkajn, por gjërat nuk kanë funksionuar ashtu siç është synuar. Ndalja e aksioneve të kundërshtarit, punë që Kryeziu e bën më së miri, ka qenë sfiduese në ndeshjet e fundit të eliminatoreve për “Euro 2020”. Kryeziu i ka munguar përfaqësueses që nga ndeshjet e qershorit, dhe mungesa e tij është vlerësuar shumë e madhe, shkruan sot Koha Ditore.
Kryeziu, më në fund, po kthehet në fushën e blertë dhe kështu, Kosovës po i kthehet “motori” i mesfushës para ndeshjeve të vlerësuara si shumë të rëndësishme. Kosova më 26 mars, luan në udhëtim ndaj Maqedonisë Veriore në gjysmëfinale të plejofit për “Euro 2020”. Deri atëherë, 26-vjeçari Kryeziu, pritet të gjejë ritmin dhe formën që e synon. Dhe me shumë mundësi në partneritet me Herolind Shalën pritet që Kryeziu të jetë pikë e fortë në lojën e “dardanëve”.
Kryeziu nuk ka luajtur për kohë të gjatë. Kishte pësuar lëndim të rëndë të gjurit më 19 prill të vitit të kaluar. Në fillim të këtij viti, nisi të luante ndeshje përgatitore me Zuerichun. Të shtunën (sot) pritet të luajë ndeshjen e parë kampionale që nga lëndimi. Me shumë mundësi, do të startojë për Zuerichun zviceran në përballje me Luzernin, në kuadër të xhiros së 19-të të Superligës “helvetike”. Luzerni është ish-skuadra e Kryeziut.