Anëtarët e Këshillit Prokurorial (KPK), kanë diskutuar me dyer të mbyllura lidhur me dorëheqjen e prokurorit special Elez Blakaj.
Gazetarëve iu është kërkuar që të lshojnë sallën e mbledhjeve pasi ka ardhur rendi që të dikutohet kjo pikë, raporton Ekonomia Online.
Blakaj që po hetonte keqpërdorimet me listat e veteranëve dha dorëheqje, duke u arsyetuar për presionin e bërë nga ana e krerëve të institucioneve dhe Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi.
Kurse Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi kishte deklaruar se Blakaj nuk kishte asnjëherë përmendur kërcënimet.
Në një letër të gjatë, Blakaj kishte vendosur ti drejtohej të gjithëve në lidhje me dorëheqjen e tij.
Që nga dorëheqja e Blakajt në Prishtinë shoqëria civile ka organizuar tri protesta duke kërkuar dorëheqjen e Lumezit dhe zgjedhje të reja, raporton EO.
Gjatë këtij takimi është vendosur për shpalljen e konkursit për anëtarin e KPK-së nga radhët e shoqërisë civile ku është caktuar edhe komisioni për vlerësim.
Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj ka propozuar anëtarët e komisionit, të cilët u votuan me vota unanime.
“Këshilli merr vendim për shpalljen e një konkursi për anëtarë të KPK-së nga radhët e shoqërisë civile. Do ta bëjmë komisionin për vlerësim. Unë propozoj kryetari Arben Ismaili, Sevdije Morina zëvendëse, dhe Valdrin Krasniqi nga Sekretariati”.
Është miratuar edhe shpallja e konkursit për prokurorë të Prokurorive Themelore ku është vendosur që Konkursi do të jetë i hapur 15 ditë, për dhjetë prokurorë.
“Është bërë shpallja e konkursit për 10 prokurorë. Në analizën e prezantuar është bazuar në numrin aktual të prokurorëve, në prokurorët që do të dalin në pension, mundësit buxhetore etj. Sot shpallim konkursin për 6 pozita në Prishtinë, në Prizren një, në Gjakove një, në Ferizaj një dhe një në Pejë”, ka thënë Isufaj.