Këshilli Prokurorial i Kosovës, i udhëhequr nga Jetish Maloku, ka zhvilluar takimin e 199-të me radhë.
Gjatë këtij takimi, fillimisht, u miratua Rregullorja për Dosjen e Prokurorëve e cila përcakton krijimin, përmbajtjen, mënyrën e ruajtjes, qasjes dhe menaxhimin e dosjes personale të Prokurorit të Shtetit.
Gjithashtu, në takimin e sotshëm, KPK zgjodhi prokurorin, Ramiz Buzhala, Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
KPK, po ashtu, mori vendim për shpalljen e konkursit për avancimin e një prokurori në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Po ashtu, u shqyrtua dhe miratua lista e kandidatëve të përzgjedhur për ndjekjen e programit Master në universitetin Wake Forest në SHBA, program ky i mbështetur nga ambasada amerikane. Përfitues të këtij programi për vitin 2021-2022 janë një prokuror nga Prokuroria Speciale dhe një bashkëpunëtore profesionale nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.
Po në këtë takim, u.d. Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Valdrin Krasniqi, ka prezantuar raportimet e kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës për periudhën janar – mars 2021.
Për arsye të skadimit të mandatit të Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë, KPK shpalli konkurs për këtë pozitë si dhe caktoi ushtruesin e detyrës deri në zgjedhjen e Drejtorit të këtij Njësiti.
Në fund, KPK mori vendim për avancimin e një prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, një prokurori në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, një prokurori në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, dy prokurorëve në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, një prokurori në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, një prokurori në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Ferizaj si dhe për transferimin e përherhshëm të një prokurori në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurori në Themelore në Gjakovë.