Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e sotme më shtatë vota për ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për rekrutimin e prokurorëve të rinj të shtetit, raporton Ekonomia Online.
Në fillim u prezantua analiza që përcakton nevojën e sistemit prokurorial për prokurorë të rinj.
Dardan Vuniqi, zëvendëskryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës tha se numri i përgjithshëm i pozitave të miratuara është 209 në sistemin prokurorial, ku 177 prej tyre janë prokurorë të shtetit aktivë.
“Komisioni për Buxhet, Financa dhe Administratë për Prokurorinë, bazuar në të dhënat zyrtare të Këshillit Prokurorial, rezulton se numri i përgjithshëm i pozitave të miratuara në sistemin prokurorial është 209, bëhet fjalë për prokurorë. Aktualisht, funksionin e prokurorit të shtetit e ushtrojnë 177 prokurorë aktivë. Gjithashtu, sipas planifikimeve të burimeve njerëzore, dy prokurorë do të përfundojnë mandatin për shkak të pensionimit këtë vit, me ç’rast numri i prokurorëve aktivë nga 177 do të ngelë në 175.
Nga ky numër rezulton se në sistemin prokurorial ekzistojnë 34 pozita të lira. Në kuadër të këtij konkursi, komisioni ka vlerësuar një ndryshim nga analiza e pranuar se 10 pozita mund të rezervohen për kandidatët nga komuniteti serb si dispozitë afirmative dhe natyrisht duke pasur parasysh se këto pozita korrespondojnë edhe me dorëheqjet e miratuara të prokurorëve të këtij komuniteti. Dhe rezervimi i këtyre pozitave do të jetë në funksion të ruajtjes dhe rivendosjes së përfaqësimit të shumietnikësisë në sistemin prokurorial, pa cenuar procesin e rekrutimit sipas meritës dhe sipas kritereve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Komisioni këtë arsyetim e mbështet në nenin 109 dhe 110 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilat përcaktojnë se sistemi prokurorial duhet të pasqyrojë karakterin shumietnik të Republikës së Kosovës dhe Këshillit Prokurorial t’i japë përparësi në emërimin e prokurorëve të komuniteteve të nënpërfaqësuara sipas ligjit. Gjithashtu edhe neni 60 i Kushtetutës garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve në institucionet publike. Këto parime janë të reflektuara edhe në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili e obligon Këshillin Prokurorial që të ndërmarrë masa për rritjen e përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë, rrjedhimisht të komunitetit serb, natyrisht dhe për pozitat e garantuara”, deklaroi ai.
“Prandaj, duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të pozitave të lira dhe nevojën për respektimin e parimeve kushtetuese dhe ligjore dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve, komisioni rekomandon që nga 34 pozita të lira, 10 të ngelen pozita të rezervuara për komunitetin serb si pozita që mbulojnë edhe nga marrëveshjet e paraprake, si Marrëveshja e Brukselit dhe dorëheqjet e prokurorëve të këtij komuniteti, natyrisht nëse paraqiten dhe kandidatë që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara me ligj.
Por, edhe pozitat të cilat mbesin, 24 për komunitetet jo shumicë dhe komunitetin shqiptar, natyrisht që edhe për këto pozita mund të garohet edhe nga komunitetet e tjera. Pra, në emër të komisionit propozohen 24 pozita, dhe 10 të rezervohen për komunitetin serb, natyrisht që të inkurajohet edhe aplikimi dhe pjesëmarrja e tyre në këtë konkurs”, tha ai.
Ndërsa, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi inkurajoi komunitetin serb që të aplikojnë për këto pozita, duke theksuar se procesi i përzgjedhjes do të jetë i paanshëm dhe i drejtë.
“Theksoj se kjo analizë nuk është e nevojshme që të vendoset në votim, pasi që është vetëm një orientim për pozitat e lira të cilat i kemi brenda sistemit prokurorial, natyrisht që siç e thashë na ndihmon që ta kemi një pasqyrë më të qartë lidhur me gjendjen se si e kemi, me me rastin e shpalljes.
Tani kalojmë tek shpallja e konkursit për rekrutimin e prokurorëve të rinj të shtetit. Nga analiza e prezantuar nga zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës rezultoj se pra kemi 34 pozita të lira nga ky numër total që ishin prej 209. Prej tyre 10 do të jenë të rezervuara për kandidatët e komunitetit serb, pra po e përsëris edhe njëherë, 10 do të jenë të rezervuara për këta kandidatë.
Para se t’ia kaloj fjalën tek ju nëse ka dikush për të theksuar diçka, më lejoni të theksoj se është interes i Kosovës që me pa pasur përfaqësim sa më të madh të komuniteteve. Përveç që është interes me pa përfaqësim të këtyre komuniteteve, natyrisht është obligim ligjor dhe kushtetues, dhe përveç që është obligim ligjor dhe kushtetues përfaqësimi i komuniteteve, Kosova edhe si rezultat i bisedimeve që ka pasur në Bruksel me shtetin fqinj, ka marrë të thotë për obligim në aspektin ndërkombëtar, pra që të bëjë një marrëveshje atje, e cila marrëveshje pastaj ka kaluar në Kuvend, dhe është bërë ligj tani dhe të njëjtën po, na takon sot ta zbatojmë sepse po e zbatojnë të gjitha institucionet e tjera.
Ajo çfarë duhet të theksoj është se unë me këtë rast i inkurajoj të gjithë pjesëtarët e komunitetit serb që plotësojnë kushtet dhe natyrisht që kanë interesim që të aplikojnë, dhe natyrisht që ju siguroj që do të jetë një proces i drejtë, me meritë, transparent, i pavarur dhe i paanshëm, dhe si i tillë do të jetë pra deri në fund,” tha Gashi.
Në fund, me shtatë vota për, u miratua propozimi për shpalljen e konkursit për rekrutimin e prokurorëve të rinj.
Konkursi do të jetë i hapur 15 ditë- nga 17 gushti 2026.

