Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e parë të mbajtur për vitin 2022, të mërkurën ka marrë vendim që të shpallë konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kjo pasi Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Konkursi për këtë pozitë do të jetë i hapur 15 ditë pas shpalljes së tij, duke filluar nga data 17 janar.
KPK në këtë takim ka themeluar edhe Panelin Vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Anëtarë të këtij paneli, përveç kryesuesit të Këshillit, Jetish Maloku, përmes shortit u përzgjodhën anëtarët e KPK-së Ariana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq. Ky panel do të kryesohet nga kryesuesi i KPK-së.
Ndërsa, anëtarë të Komisionit për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve ndaj procesit të poentimit, pas tërheqjes së shortit u përzgjodhën anëtarët e KPK-së Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Agron Beka.
Lumezi mandatin e tij në këtë pozitë e kishte filluar më 21 prill 2015, pas dekretimit të tij nga ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, për një mandat shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi.
Konkursi për këtë pozitë, sipas Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, duhet të shpallet nga KPK 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit.
Konform Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i Kryeprokurorit të ri të Shtetit do të jetë shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi.