Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar për zhvillimin procedurave për përzgjedhjen e kryetarit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Sipas një njoftimi për medie, Komisioni për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është takuar të mërkurën, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, EULEX-it, EUKOJUST-it dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë, në cilësinë e monitoruesve.
“Komisioni për Rishqyrtim, pas trajtimit të sotëm që u bëri kundërshtimeve të kandidatëve për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, do të përgatisë raport për KPK-në, i cili do të trajtohet në takimin e radhës së KPK-së.
KPK-ja ka miratuar më 17 nëntor listën prej katër kandidatësh për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si në vijim: Blerim Isufaj, Valdet Gashi, Atdhe Dema dhe Naim Abazi.
Këshilli Prokurorial i Kosovës do të njoftojë me kohë për procedurat e tjera të procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të PSRK-së”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit për medie, Komisioni për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), u kryesua nga anëtarja e Këshillit Prokurorial, Jehona Grantolli, në përbërje të të cilit janë edhe dy anëtarë të tjerë të KPK-së, Arjana Shajkovci dhe Armend Zenelaj, ka mbajtur takim për t’i trajtuar kundërshtimet e kandidatëve për Kryeprokuror të PSRK-së.