Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes një reagimi, është shprehur tejet i indinjuar për rastin, i cili ka ndodhur dje në Pallatin Drejtësisë në Prishtinë, kur dëshmitari i një çështjeje penale ka kërcënuar dhe sulmuar prokurorin e çështjes, z. Blerim Igrishta, për shkak të mosmbajtjes së seancës gjyqësore për mungesë të të akuzuarit.
Forma të tilla të sjelljeve janë të papranueshme dhe të drejtuara jo vetëm ndaj dëmtimit të integritetit të prokurorit Igrishta, por edhe ndaj autoritetit tërësor të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, thuhet në reagim.
Për Këshillin, mbrojtja e pavarësisë dhe autoritetit të prokurorëve është obligim parësor, andaj aktet e tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme në një shoqëri moderne dhe demokratike.
Këshilli Prokurorial i Kosovës qëndron fuqishëm pranë prokurorëve, duke i mbështetur në ushtrimin e funksioneve të tyre dhe duke i inkurajuar për përmbushjen e mandatit të tyre.
KPK-ja siguron opinionin publik se kjo çështje është duke u trajtuar seriozisht dhe në nivelin e duhur të urgjencës, të cilën e meriton.