Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi z.Jetish Maloku, mbajti takimin e 237-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të paraparë të ditës.
Pas prezantimeve dhe diskutimeve të zhvilluara në takimin e sotëm, KPK zgjodhi z.Sami Istrefin në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së (SKPK) dhe znj.Arta Kelmendi në pozitën e Drejtoreshës së Njësitit për Shqyrtimin e Përformancës së Prokurorisë (NJSHPP).
KPK-ja themeloi Panelin Hetimor për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe aprovoi Plotësimin dhe Ndryshimin e Vendimit të KPK-së, të datës 13 tetor 2023, lidhur me tejkalimin nga 1% në kuotën 2.05 % për pagesa të kujdestarisë së prokurorëve.
Gjithashtu, KPK aprovoi rekomandimin e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për zgjatjen e trajnimit fillestar për dy prokurore, të cilat kanë qenë në pushim të lehonisë dhe aprovoi kërkesën e Komisionit për Administrimin e Prokurorive për themelimin e grupit punues të përdoruesve për sistemin prokurorial në kuadër të projektit të Sistemit Menaxhues Informativ të Lëndëve (SMIL).
Anëtarët e Këshillit miratuan Raportin e Komisionit për Rishqyrtim për procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe trajtuan kundërshtimet përkatëse, me ç’rast aprovuan pjesërisht të njëjtat dhe miratuan rekomandimin e këtij komisioni që kjo çështje të kthehet tek Paneli Vlerësues për rishikim.
Po në këtë takim, KPK miratoi Raportin e Komisionit për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve për procesin e avancimit të tre prokurorëve në Prokurorinë e Apelit dhe trajtoi kundërshtimet e paraqitura, me ç’rast në Prokurorinë e Apelit janë avancuar znj.Sebahate Sinani nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, z.Ilaz Beqiri nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe znj.Nazan Shero nga Prokuroria Themelore në Prizren.
KPK miratoi edhe Raportin për Vlerësimin e Performancës së njëmbëdhjetë prokurorëve me mandat të përhershëm, si dhe mbajti një seancë dëgjimore disiplinore për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kurse vendimi do të nxjerrët siç parashihet me Ligj.
Këshilli përditësoi listën e prokurorëve me anëtarë të rinj që shërbejnë në panelet hetimore për shkak të skadimit të mandatit të anëtarëve të mëparshëm, kurse në përfundim të takimit miratoi edhe njoftimin për pensionimin e dy prokurorëve gjatë muajit dhjetor 2023 dhe mori vendim për të dërguar propozimet tek Presidentja e vendit për t’i liruar nga detyra me rastin e arritjes së moshës së pensionimit të tyre.