Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie ka miratuar raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Medie për vitin 2017, i cili është kthyer mbrapsht herën e kaluar për t’u plotësuar dhe ndryshuar për shkak të vërejtjeve të shumta.
Kryetari i KPM-së, Muja Ferati, theksoi se Departamenti ligjor ka quar në përmbarim 63 raste për mospagesë të licencës. Ai rishprehu shqetësimin për shkak të mos përdorimit të majës së Goleshit.
“Departamenti ligjor ka quar në përmbarim 63 raste për mospagesë të licencës. Raste të shkeljes së kodit të etikës janë proceduar 10 raste. Sinjalin e kemi kualitativ, por mbulueshmëria është e vogël, 62 për qind, për shkak të mos përdorimit të majës së Goleshit. Në Golesh KPM kontakton me KFOR-in për me rujt, kur të arrijmë me marrë mund të bëhet ky përmirësim,” thotë Ferati.
Kryetari i komisionit parlamentar për mediet, Nait Hasani, ka thënë se platforma “Artmotion” dhe policia kanë ndërhyrë në pavarësinë e KPM-së rreth vendimit të saj për këtë platformë. Ai këtë e ka quajtur dhunim të këtij institucioni.
“Cili është autorizimi me ardhë policia kriminale te ju me i hetu rastet, ne jemi në vendimmarrje. Kush janë Artmotion me i shtanazhu bordin, pse ju keni vendos për hetim. Këto janë raste kriminale, lajmi është lajmëruar në polici. Të njëtën gjë e ka bërë edhe policia, kujt me i besu. Tentimi i tillë është shkelje dhe dhunim i institucionit të pavarur. Drejtësia duhet me reagu, pse personat i kanë shku në banesë dhe kanë kërkuar, pse kanë vendosur ashtu. Ndikimet e Devollëve janë bazë kriminale,” deklaroi Hasani.
Imet Rrahmani nga LDK-ja thotë se numri prej 63 operatorëve medialë, që janë dërguar te përmbaruesi është shqetësues.
“Gjatë raportimit pash që 200 operatorë janë që i mbikëqyrni, prej atyre, 63 përqind të operatoreve ua keni dërgu përmbaruesit për mos pagesë të licencës. Kjo është shqetësuese. Cilat janë pengesat e juaja në punë që ju të jeni të pavarur, që ne të ju ndihmojmë,” është shprehur Rrahmani.
Adem Mikullovci nga Lëvizja Vetëvendosje ka pasur kritika për lëshimin e licencave për operatorët medialë.
“Si qëndrojnë raportet me kabllovikët, Ipko, Kujtesa. I marrin krejt programet a kanë të drejtë. Apo lëshoni licenca pa paraqitur program, veç qiti paret edhe merre”.
Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka kërkuar të dijë se kur pritet që të transmetuesit të kalojnë nga sistemi analog në atë digjital.
“A keni marrë përgjojë nga qeveria për strategjinë për digjitalizim. KPM u jep vërejtje operatoreve për shkeljet, çka ndodh kur i njëjti operator brenda vitit e shkel rregulloren. Artmotion, për mua ka qenë çështje që i takon UEFA-s, s’ka pasur diçka politike”.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, thotë se edhe portalet duhet të kontrollohen nga KPM-ja, sepse sipas tij të gjitha portalet po transmetojnë video.
“Shkelja e të drejtave të autorit, ju duhet me hulumtu. Kur një reklamë del, p.sh. një reklamë e keqpërdor këngën “Baresha” të Nexhmije Pagarushës, ju duhet me hulumtu. Nuk ka më portale, të gjitha po transmetohen me video. I takon KPM-së të merret me portale. Kur një portal lëshon audio incizime të paautorizuara, bën video incizime të fshehura ju duhet të reagoni”.
Në këtë mbledhje, Zeka është shprehur kundër arrestimit të tij, siç tha, pa iu hequr imuniteti i deputetit.
“Nga një hajdut, i përfshirë në afera kriminale ia vë lidhëset një deputeti. Nuk ndodh në botë që me u arrestu një deputet pa kërkuar nga kKryetari i Kuvendit, nga prokurori publik”.
Edhe deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, ka kërkuar që të ndryshohet ligji dhe portalet të futen nën kontrollin e KPM-së, pasi vlerësoi se ato janë totalisht jashtë kontrollit.
“Kemi nevojë, kish qenë mirë që ju të zgjedhurit me komuniku më mirë me anëtarët dhe me lexu më shumë ligjin. Kemi nevojë për me na u adresu për problemet që i keni. Portalet janë mediume që i kemi totalisht jashtë kontrollit. Duhet të iniciohet të futet në ligj që ju t’i kontrolloni”.
Duke folur për digjitalizimin, Vlorë Berisha nga KPM-ja, tha se kostoja e kësaj strategjie është 4.3 milionë euro, por tha se kjo duhet të shqyrtohet.
“Në strategji janë të përfshira kategoritë, kostoja është 4 milionë e 300 mijë. Kostoja duhet me u shqyrtu. Për kosto të rrjetit është duke u kryer plani i fizibilitetit, brenda muajit do ta kemi koston reale”.
Naile Krasniqi nga KPM, tha se po kanë shumë probleme transmetimet ilegale të IPTV-ve, të cilat transmetohen përmes internetit.
“Në transmetim analog s’kemi probleme me transmetime ilegale, problem janë transmetimet IPTV dhe OTT, ato transmetohen përmes internetit. Kjo po bëhet luftë e madhe, por jemi në kontakt me policinë. Një numër i tyre transmetojnë edhe jashtë Kosovës, kjo është problem”.
Kryetari i KPM-së, Muja Ferati, ka thënë se kanë shumë presion sa i përket rastit të “Artmotion”, për te cilin tha se është presion medial.
“Ne rivendosje kemi ankesa, juristët duhet me e zgjidh. Ka me u kthy dhe me u trajtu me komision. Presioni është shumë i madh, presioni është medial, kur është refuzuar vendimi prej bordit për neve ai është ligj. Te na është bërë kallëzim penal. Juridikisht është i paqëndrueshëm. Tash jemi në fazën e rivendosjes”.