KPM miraton Planin e Veprimit për monitorimin e fushatës zgjedhore

Prishtinë | 03 Tet 2024 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Komisioni i Pavarur i Mediave ka miratuar Planin e Veprimit për zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të vitit të ardhshëm, plan i cili paraqet aktivitetet që KPM-ja planifikon t’i ndërmerr në bazë të mandatit ligjor të përcaktuar me Ligjin e KPM-së dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ky plan i veprimit sipas KPM-së është i ndarë në tri pjesë që përfshinë aktivitetet e planifikuara para fillimit të fushatës zgjedhore, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore.

“Periudha para fushatës zgjedhore përfshinë aktivitetet e KPM-së në hartimin e Rregullores për sjelljen e mediave gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore, si obligim i paraparë në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo periudhë përfshinë edhe aktivitetet që kanë të bëjnë me komunikimin dhe sensibilizimin e të licencuarve të KPM-së me qëllim të njoftimit rreth obligimeve të mediave gjatë këtij procesi”, thuhet ndër të tjera në njoftimit e nxjerrë nga KPM-ja.

Aktivitet tjetër sipas tyre në këtë periudhë është edhe ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të Zyrës së KPM-së.

Ndërkohë siç bëhet e ditur periudha gjatë fushatës zgjedhore deri në mbylljen e vendvotimeve do të përfshijë monitorimin dhe vlerësimin e pajtueshmërisë së të licencuarve të KPM-së me legjislacionin në fuqi, si dhe vendimmarrjen e shpejtë në rast të shkeljeve të identifikuara.

Ndërsa, periudha pas zgjedhore siç ka njoftuar KPM-ja do të fokusohet në prezantimin e të gjeturave nga monitorimi i të licencuarve gjatë periudhës zgjedhore.

“Në përgjithësi, zbatimi i Planit të Veprimit do të bëhet brenda një periudhe shtatë mujore, shtator 2024 – mars 2025”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë objektivat e KPM-së mbi procesin zgjedhor përfshijnë krijimin e akteve nënligjore të bazuara në ligj dhe konsultim publik, udhëzimin e mediave të licencuara për një qasje të drejtë dhe të paanshme gjatë fushatës zgjedhore, sigurimin e kushteve të barabarta dhe mos diskriminuese për qasjen e subjekteve politike të certifikuara në mediat e licencuara, informimin dhe sensibilizimin e duhur te subjekteve të licencuara, krijimin e kushteve të favorshme teknike për monitorim intensiv gjatë fushatës zgjedhore si dhe vendimmarrjen e shpejtë të masave proporcionale në rast të shkeljes së legjislacionit në fuqi.

Të ngjashme