Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK), ka kthyer në punë tre zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët ishin larguar lidhur me rastin e vrasjes së Astrit Deharit.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Burim Buleshkaj – ish-ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, dhe Destan Zogaj – ish-ushtrues i detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit Prizren, Destan Zogaj, janë larguar nga puna nga SHKK-ja në shkurt të këtij viti, për siç thuhej “veprimet dhe mosveprimet e tyre”, në rastin “Dehari”.
Ndërsa, Topalli ishte përjashtuar nga puna nga Ministria e Drejtësisë në mars të këtij viti, për siç thuhej “shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”.
Për Topallin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se një nga arsyet e shkarkimit të tij është se “i ka marrë pamjet e kamerave të burgut të Prizrenit, para Policisë së Kosovës, e që një gjë e tillë është e ndaluar me ligj”.
Rasti “Dehari”, kthehet në punë drejtori që u largua nga Albulena Haxhiu
Për kthimin e tyre në punë, zëvendësministri Sallahu ka thënë se organizimi dhe funksionimi kriminal ka adresë.
“Këshilli i ‘Pavarur’ Mbikëqyrës i Shërbimit Civil paska kthyer në punë edhe Destan Zogajn e Burim Buleshkajn, të involvuar direkt në rastin Dehari. Të dy së bashku e bashkë me Ylber Topallin pa asnjë bazë ligjore kanë bartur kamerat nga burgu i Prizrenit drejt në dorën e Dhurata Hoxhes – ish ministre e Drejtësisë. Organizimi dhe funksionimi kriminal ka adresë”, ka shkruar ai në Facebook.
Sallahu tutje ka ftuar Prokurorinë Speciale të merret me Raportin e Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë dhe me procesin e marrjes së këtyre vendimeve nga anëtarët e partive opozitare që siç ka thënë, e sundojnë KPMSHC-në.