KQZ: 33 mijë votues të rinj në zgjedhjet lokale të tetorit

Prishtinë | 27 Qer 2025 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti mbledhjen e 41-të për këtë vit, të udhëhequr nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi.

Gjatë mbledhjes elektronike, anëtarët u informuan për raportin e Listës Preliminare të Votuesve për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025. Sipas raportit, numri i votuesve është 2,067,998, që është 7,870 më pak se në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Në këto zgjedhje do të marrin pjesë 33,540 votues të rinj. Ndërkohë, nga lista janë larguar gjithsej 41,410 votues për arsye të ndryshme, përfshirë vdekje, humbje shtetësie dhe mospërputhje të të dhënave.

Gjithashtu, KQZ miratoi listën e 945 Qendrave të Votimit në 38 komuna, prej të cilave 907 për votim të rregullt dhe 38 për votim me kusht.

Njoftimi i plotë:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 41-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi. Kjo mbledhje u zhvillua në mënyrë elektronike.

Në këtë mbledhje, anëtarët e KQZ-së u njoftuan lidhur me raportin e Listës Preliminare të Votuesve (LPV) për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Lista Preliminare e Votuesve përmban: 2,067,998 votues, pra 7,870 votues më pak në krahasim me Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet Lokale më 12 tetor 2025 është: 33,540 votues, prej të cilëve:
•26,654 votues konsiderohen të rinj që pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës 2025, kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet Lokale 2025; dhe
•6,886 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.

Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës është 41,410. Ky numër përfshin:
•6,276 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);
•340 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC;
•2,967 votues të larguar si persona të vdekur, pas krahasimit të ekstraktit të ARC me regjistrin e pranuar nga Departamenti i Pensioneve;
•117 votues të larguar për shkak të marrjes së së drejtës së zotësisë së veprimit, të evidentuar nga listat e pranuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës;
•471 votues mbi 100 vjeç, të larguar pas krahasimit ndërmjet të dhënave të ekstraktit me të dhënat e Agjnecisë së Statistikave të Kosovës (ASK) nga regjistrimi i popullsisë 2024;
•31,239 votues të larguar nga ARC, pasi janë kategorizuar si persona të paverifikuar — këta figurojnë në regjistrin e Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve (DPD), por nuk figurojnë në regjistrin e Departamentit të Gjendjes Civile (DGjC).

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e listës së Qendrave të Votimit në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Sipas vendimit të KQZ-së, numri i Qendrave të Votimit në 38 komuna të Republikës së Kosovës, në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit është: 945. Nga ky numër i përgjithshëm, 907 Qendra të Votimit do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërkaq në 38 të tjera, nga një për çdo komunë, do të shërbejnë vetëm për votimin me kusht.

Të ngjashme