KQZ apel qytetarëve: Votimi familjar është i ndaluar dhe vepër penale

Prishtinë | 05 Qer 2026 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar një njoftim sensibilizues për qytetarët në prag të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor.

Përmes një posteri informues, KQZ rikujton se votimi familjar është i ndaluar me ligj dhe se çdo qytetar duhet ta ushtrojë të drejtën e votës në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë, transmeton lajmi.net.

Sipas njoftimit, në kabinën e votimit lejohet të qëndrojë vetëm një person, ndërsa votuesi duhet ta plotësojë fletëvotimin pa u penguar dhe në fshehtësi të plotë. Po ashtu, ndalohet votimi në emër të një personi tjetër.

KQZ thekson se votimi familjar përbën vepër penale dhe u bën thirrje qytetarëve që rastet e tilla t’i raportojnë në numrin e publikuar për këtë qëllim.

“Ligji për zgjedhjet nuk lejon votimin familjar”, thuhet në mesazhin e KQZ-së, e cila synon të garantojë integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e të drejtës individuale të votës.

Të ngjashme