Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 10 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka vendosur që periudha zyrtare e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 të zgjasë 10 ditë e 7 orë, duke filluar më 28 maj 2026 dhe duke përfunduar më 7 qershor 2026 në orën 06:59, raporton Ekonomia Online.
Pas caktimit dhe shpalljes të datës 7 qershor 2026 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, KQZ mori disa vendime në kuadër të fillimit të përgatitjes për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ mori vendim për caktimin e afateve dhe miratoi planin e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, i cili përfshin, ndër të tjera: deklarimin e partive politike për pjesëmarrje/mospjesëmarrje në zgjedhje; deklarimin e partive politike për formimin e koalicioneve; aplikimin për certifikimin e subjekteve politike; dorëzimin e listave të kandidatëve dhe verifikimin e tyre; periudhën e fushatës zgjedhore; caktimin e qendrave të votimit, përfshirë përfaqësitë diplomatike; regjistrimin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës; periudhën e votimit përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike; certifikimin e listës së votuesve; akreditimin e vëzhguesve dhe mediave; si dhe emërimin e anëtarëve të 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillave të vendvotimeve.
Alban Krasniqi anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregoi afatet kohore për aplikim për persona të ndryshëm që marrin pjesë në zgjedhje.
“Periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës fillon nga data 06.05 deri me datën 17.05 të këtij muaji. Lista e votuesve që përfshin votuesit brenda Kosovës dhe jashtë Kosovës certifikohet nga KQZ-ja në periudhën kohore 20.05 deri në 21.05. Periudha e votimit përmes postës fillon me datën 25.05 dhe përfundon me datën 06.06, pra 6 qershor 2026. Fushata e zgjedhjeve për subjektet politike të certifikuara fillon me datën 28 të muajit maj dhe zë deri me datën 7 të mëngjesit të muajit qershor. Periudha e regjistrimit të personave me nevoja të veçanta fillon me datën 22.05 dhe përfundon me datën 31.05 2026. Emërimi i këshillave të vendvotimit do të bëhet nga ana e KQZ-së më së voni deri me datën 22.05. Emërimi i këshillave të vendvotimeve në përfaqësi diplomatike, në funksion të votimit në përfaqësi diplomatike, do të bëhet me datën më së voni deri me datën 30.05. Emërimi i ekipeve të numërimit në qendrat komunale të numërimit do të bëhet më së voni deri me datën 22.05. Periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve fillon nga data 08.05 dhe përfundon me datën 30.05 2026. Për vëmendjen tuaj, mediave dhe të tjerëve, KQZ-ja tashmë ka nxjerrë një rregullore të re për sa i përket vëzhgimit të zgjedhjeve, e cila mund të gjendet në faqen e institucionit tonë, po dhe mund t’ju ofrohet edhe përmes formave të tjera të komunikimit, e cila është e rëndësishme që të lexohet edhe të kuptohen edhe procedurat, të drejtat dhe detyrimet e vëzhguesve të kategorive të ndryshme, përfshi dhe mediat. Periudha e fushatës për edukim dhe informim publik fillon me 01.05 dhe përfundon me datën 27.05. Programi i trajnimit të këshillave të vendvotimit fillon me datën 27.05 dhe përfundon me datën 05.06. Trajnimi i anëtarëve të ekipit të numërimit në qendra komunale të numërimit fillon me datën 04.06, pra me 4 qershor, deri me datën 5 qershor të këtij viti. Certifikimi i listës së votuesve nga KQZ-ja fillon me datën 20.05 deri më 21.05, ku është afati i fundit kur duhet të certifikohet lista e votuesve. Këto janë disa prej afateve kryesore, natyrisht ne e kemi edhe planin e detajuar të secilit aktivitet përbrenda këtyre afateve, që i përshkruajnë në detaje detyrat, përgjegjësitë, po edhe afatet kohore. Dhe si dokument i tillë, ne si Këshill i Operacioneve Zgjedhore, e rekomandojmë për miratim nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Krasniqi.
