Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka certifikuar 902 kandidatëve të 21 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Kandidatët e certifikuar përfaqësojnë 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur.
Nga ky numër i përgjithshëm i kandidatëve, 593 janë burra dhe 309 gra.
Besnik Buzhala nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka treguar që listat e kandidatëve për deputetë janë dorëzuar më 12 maj.
“Në përputhje me planin kohor të aktiviteteve për zgjedhjet që mbahen me datën 7 qershor 2026 periudha e dorëzimit të listave dhe të kandidatëve ka filluar me datën 2 maj 20026 dhe ka përfunduar me datën 12 maj 2026. Gjithsej 21 subjekte politike kanë dorëzuar listat e kandidatëve përmes platformës. Po filloj prej të parës. LVV ka dorëzuar listën me gjithsej 110 kandidatë, lista e kandidatëve është verifikuar në përputhje me nenin 30 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe nga të dhënat e verifikuara rezulton se asnjë kandidat nuk bie ndesh me dispozitat e caktuara të nenit 30 për zgjedhjet e përgjithshme. Zyra i rekomandon KQZ-së që të certifikojë listën me 110 kandidatë të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje… Subjekti i radhës është Partia Demokratike e Kosovës. Subjekti ka dorëzuar listën me 110 kandidatë. Lista me kandidatë është verifikuar në përputhje me nenin 30 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe nga të dhënat e verifikuara rezulton se asnjë kandidat nuk bie ndesh me dispozitat ligjore. Zyra i rekomandon KQZ-së që të certifikojë listën me 110 kandidatë të subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë ai.
KQZ po ashti ka certifikuar listën me deputetë të Listës Serbe me shumica votash. Tetë anëtarë të KQZ-së kanë votuar për certifikim, meqë nga Zyra për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike ka rekomanduar një gjë të tillë.
Sipas kësaj zyre, asnjë prej kandidatëve të kësaj partie s’bie ndesh me ligjin apo ndonjë rregullore.
“Lista me kandidat është verifikuar. Nga të dhënat rezulton se asnjë kandidat nuk bie ndesh me dispozitat. Zyra rekomandon certifikimin e Srpska Lista”, ka thënë Buzhala.
Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka konfirmuar se Lista Serbe certifikohet me 8 vota për dhe 2 kundër.

