Më nëntë vota për dhe dy kundër, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, pasi Gjykata Supreme ka rrëzuar të gjitha ankesat që ishte duke i shqyrtuar, raporton Ekonomia Online.
Kundër certifikimit të rezultateve ishin dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi.
Nga certifikimi i këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 396 mijë e 387 vota apo 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 196 mijë e 474 vota apo 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë gjithsejtë 171 mijë e 357 vota apo 18.27 për qind.
Kush i siguroi mandatet?
Përbërja e re e kuvendit do të ketë shumë emra të vjetër, por të numërt janë edhe kandidatët që për herë të parë do ta ushtrojnë funksionin e ligjvënësit.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, mandat deputeti kanë siguruar: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Faton Peci, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Xhelal Svecla, Donika Gërvalla Schwarz, Avni Dehari, Mimoza Kusari Lila, Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti Selimi, Saranda Bogujevci, Edona Llalloshi, Mefail Bajqinovci, Hajrullah Ceku, Armend Muja, Jeta Statovci, Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj, Artane Rizvanolli, Nezir Kraki, Adelina Grainca, Arbreshë Kryeziu, Arbër Rexhaj, Dimal Basha, Valon Hoti, Arbërie Nagavci, Liza Gashi, Valon Ramadani, Labinotë Demi Murtezi, Fjolla Ujkani Halil Thaci, Agim Bahtiri, Fitore Pacolli Dalipi, Artan Abrashi, Salih Zyba, Adriana Matoshi, Drita Pajaziti, Fitim Haziri, Driton Hyseni, Bylbyl Sokoli, Bajram Mavriqi, Arjeta Fejza, Ilir Kërçeli, Fatmire Kollçaku, Arijeta Rexhepi dhe Rozeta Hajdari.
Në PDK, mandatet e deputetëve i morën: Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Sala Jashari, Enver Hoxhaj, Përparim Gruda, Ganimete Musliu, Nait Hasani, Jakup Nura, Rrahman Rama, Artan Behrami, Mërgim Lushtaku, Elmi Reçica, Ferat Shala, Blerta Deliu-Kodra, Fadil Demaku, Altin Krasniqi, Xhevahir Geci, Abelard Tahiri, Ariana Musliu Shoshi, Rashit Qalaj, Eliza Hoxha, Arbnore Salihu dhe Kosovare Murseli.
Në LDK deputetë u bënë: Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica Xhelili, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Anton Quni, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku Sadriu, Armend Zemaj, Hysen Cekaj, Fadil Hadërgjonaj, Besian Mustafa, Marigona Geci, Ekrem Hyseni, Krenar Xhaferi, Alban Zogaj, Arben Gashi, Paris Guri, Serbeze Muçaj dhe Arjeta Abazi.
E AAK-ja bashkë me Nismën do t’i kenë këta përfaqësues në Kuvend: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Lahi Brahimaj, Arbreshë Krasniqi, Xhevahire Izmaku.
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, sipas Kushtetutës së Kosovës, fillon afati prej 30 ditësh për konstituimin e parlamentit të ri dhe zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë. Pastaj, presidenti i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje që është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Nëse herën e parë kandidati për kryeministër nuk i siguron votat e mjaftueshme prej së paku 61 sosh për ta formuar qeverinë, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh duhet të emërojë një kandidat tjetër për kryeministër. Nëse as herën e dytë nuk formohet qeveria, atëherë presidenti është i obliguar të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.