Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të organizojnë sërish zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit, kurdo që i kërkohet nga institucionet përgjegjëse, i tha Ekonomia Online, zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
Sipas tij, KQZ-ja si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen, prandaj edhe do të merret me të gjitha fazat e organizmit e implementimit të planit.
Elezi shtoi se me këtë ata po përmbushin detyrat që dalin nga Kushtetuta e ligjet në fuqi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen”.
“Si KQZ, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, shprehim gatishmëri për të përmbushur detyrimet tona kushtetuese dhe ligjore për të kryer përgatitjet për organizimin e këtij procesi zgjedhor varësisht se kur ato shpallen dhe kur kërkohet nga ana e KQZ-së”.
Përderisa Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar procedurat për dorëheqjen e katër kryetarëve në komunat në veri.
Grupi punues duhet ta finalizojë Projekt-Udhëzimin Administrativ dhe ta procedojë te zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MALP-së deri me datën 1 shtator të këtij viti.
Kujtojmë, më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.
BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor.