Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ka filluar numërimi i votave të kandidatëve për Kuvende Komunale, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha në 2571 vendvotime është përmbyllur procesi i njoftimit.
“Fillimisht, ju njoftojmë se të dielën në mbrëmje, në 2,571 vendvotime të rregullta është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe votave të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale,” tha Elezi.
Ai shtoi se pas përfundimit të numërimit dhe procedurave të tjera, materialet zgjedhore nga 948 Qendra të Votimit janë tërhequr dhe dërguar në 38 Qendra Komunale të Numërimit.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në zgjedhjet lokale numërimi i votave për kryetarë të komunave dhe subjekte politike bëhet në vendvotime pas përfundimit të procesit të votimit, ndërsa votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale numërohen në Qendrat Komunale të Numërimit,” shpjegoi ai.
Zëdhënësi i KQZ-së bëri të ditur se ky proces ka filluar sot në mesditë.
“Ju njoftojmë se ky proces, në orën 12:00 ka filluar në tri komuna dhe në orën 16:00 në 35 të tjera,” tha Elezi, duke theksuar se në 38 Qendra Komunale të Numërimit do të punohet në dy orare.
Sipas tij, KQZ ka emëruar mbi 520 ekipe të numërimit me më shumë se 2 mijë anëtarë, ndërsa procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve.
“Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve,” deklaroi Elezi.
Ai shtoi se përveç organizimit të votimit në 2,571 vendvotime të rregullta, KQZ ka mundësuar edhe votimin me kusht në 54 vendvotime, si dhe votimin jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile për 3,467 persona me nevoja të veçanta. Po ashtu, 43,933 shtetas të Kosovës kanë votuar përmes postës nga jashtë vendit.
“Numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, nga votimi i personave me nevoja të veçanta dhe nga votimi jashtë Kosovës, do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi të përfundojë procesi në Qendrat Komunale të Numërimit,” sqaroi ai.
Sipas të dhënave preliminare, në 54 vendvotime me kusht janë 2,119 zarfe me fletëvotime, ndërsa nga votimi jashtë Kosovës janë 33,258 zarfe të supozuara me fletëvotime, të cilat janë tërhequr nga 22 prej 23 kutive postare.
“Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve,” përfundoi Elezi.

