KQZ hap periudhën për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit

Prishtinë | 06 Maj 2026 | 19:09 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka njoftuar se ka filluar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare të Votuesve, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor 2026.

Sipas KQZ-së, kjo periudhë do të zgjasë 13 ditë dhe u mundëson qytetarëve të verifikojnë dhe korrigjojnë të dhënat e tyre zgjedhore.

“Çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë rishikim”, thuhet në njoftim.

Qytetarët mund të paraqesin kërkesat përmes platformës elektronike të KQZ-së ose duke u paraqitur në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.

“Përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org ose duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse”, thekson KQZ.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe mund të kundërshtohet edhe përfshirja e personave që nuk duhet të figurojnë në listë, përfshirë edhe personat e vdekur.

“Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, thuhet më tej.

KQZ ka bërë të ditur se për identifikim gjatë kundërshtimit të listës, qytetarët duhet të përdorin letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi të vlefshme.

Të ngjashme