KQZ insiston që votimi jashtë vendit të bëhet në ambasada, refuzon kërkesën e MPJD-së

Prishtinë | 02 Dhj 2024 | 15:31 | Nga Hasan Hoti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shqyrtuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në këtë letër, është kërkuar hapësira shtesë për qendra votimesh jashtë Kosovës për Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, raporton Ekonomia Online.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga anëtarët e KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se kjo kërkesë është e kundërligjshme pasi vjen nga kryetare e partisë, siç është Donika Gërvalla.

“Jemi duke fol për një shkresë e cila vjen nga radhët e një kryetare të një partie politike, pra nuk vjen në cilësinë administrative institucionale, pra do duhej të vinte nga sekretari i MPJD-së. Lidhur me temën që kërkohet të trajtohet përmes kësaj shkrese, kjo temë është mbyllur atëherë kur e ka pas kohën në kuadër të Ligjit për Zgjedhje dhe kur janë miratuar të gjitha qendrat e votimit sa i përket votimit fizik në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit. Edhe me ndryshimet e Ligjit për Zgjedhje të përgjithshme, të gjitha partitë politike kanë mbështetur një Ligj që mundëson votimin fizik në Ambasada. Pra për herë të parë Kosova organizon votimin fizik në përfaqësitë diplomatike”, tha Elshani

Kundër kësaj shkrese ishte edhe Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai konsideroi se kjo shkresë është ndërhyrje në institucionin e KQZ-së. 

“Kjo shkresë është ndërhyrje direkte në insitutcionin e pavarur. Është një proces zgjedhor që është bërë një vit dhe jnë përcaktuar ato qendra votimi dhe janë kontestuar, madje vendimet e Gjykatave i kanë dhënë të drejtë KQZ. Mendoj që janë shkelje të kompetencave”, tha Hamiti.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se kërkesa e MPJD-së nuk përbën presion, veçse është ndërmarrë nga Donika Gërvalla si ministre dhe jo si kryetare e partisë Guxo.

“Ajo është zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme. U përmenden Gjykatat dhe tash po e lexoj dhe bash u habita se çfarë presioni po blhet ndaj kryetarit. Nuk po shoh kurrfarë presioni as ndaj kryetarit e as ndaj KQZ-së. Çfarë presioni përbën kjo fjali, kjo kërkesë”, u shpreh Kurteshi.

VV-ja e çon në KQZ “luftën hibride”, Alban Krasniqi i VV-së sulmon Ismet Kryeziun e KDI-së

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi, ka reaguar ndaj drejtorit ekzekutiv të KDI-së, Ismet Kryeziu, të cilin e quajti “njeri i PDK-së”.

Për këtë të fundit, Krasniqi tha se ka shpërndarë dezinformata të qëllimshme, me rastin e publikimit të vlerësimit të periudhës së parafushatës, ndërhyrjeve të Qeverisë, shfrytëzimin e burimeve publike për qëllime elektorale.

“Aktet terroriste kanë impakt edhe në proces zgjedhor, sepse kanë impakt në sigurinë e njerëzve, pra krijojnë një lloj pasigurie dhe ne duhet ta japim kontributin në këtë drejtim, e që ne fatkeqësisht po i kontribuojmë komplet shtrirjes apo zgjerimit të dezinformimit dhe si po e bëjmë këtë? Po e bëjmë duke dërguar dezinformata tek mediat, tek opinionistët e caktuar të cilët me apo pa vetëdije dalin e japin qëndrime të shtrembëruara, informata të shtrembëruara, gjëja që MPJD-ja po përzihet në kompetencat e KQZ-së. U përmend edhe memorandumi dhe unë kam kërkuar reagim sepse është prekë padrejtësisht një institucion këtë rast i Qeverisë së Kosovë se kinse ai institucion është duke tentuar (ndërhyrje) se ideatorët nuk janë këtu, ju jeni vetëm zbatues se qifti i Ismet Kryeziut të KDI-së që është i afërt botërisht me PDK-në, nuk ka sekret ajo farë pune dhe i cili del edhe shpërndanë dezinformata me një analizë”, ka thënë Krasniqi, teksa ka kërkuar nga Demokracia në Veprim që të tregojë se kush e ka mbështetë publikimin e titulluar “Përgatitjet parazgjedhore, dinamikat dhe trendet e parafushatës”.

“Nuk më intereson çështja e fushatës apo para fushatës sepse edhe aty është një lloj dezinformimi që e ka bërë edhe për juve përfaqësues indirekt të partive politike mbi parafushatën. Në një publik që e ka bërë Demokracia në Veprim, e cila veç si emër ekziston sepse as faqja nuk ju funksionon, sepse edhe publikimi, ndonëse e kanë shkruar që është mbështetur nga një donator, kur iu bën pyetje se kush është ai që u ka mbështetë, kush është donatori që u ka mbështet në këtë publikim, ata nuk e bëjnë publike, që ta dimë. A është PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja a është VV-ja, ta dimë se kush e paska mbështetë atë publik që e kanë gatuar si bukë furre, sepse referencat e publikimit i kanë me dy apo tri ditë përpara ngjarjes që ka ndodh, ata e kanë bërë analizën edhe ka dalë i gatuar si një publikim i sajuar por i cili përmban nivele të larta të dezinformimit qytetarëve”, u shpreh Krasniqi.

Në fund, i gjithë ky diskutim ishte jashtë rendit të ditës, ndërsa kërkesa e MJPD-së nuk u shqyrtua fare për shkak se rendi i ditës nuk u votua.

Të ngjashme