KQZ-ja dhe dilema e sovranitetit të Kosovës

Prishtinë | 15 Dhj 2025 | 08:41 | Nga aRIF eJUPI

Certifikimi i Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Zgjedhjet Parlamentare të 28 dhjetorit ka rikthyer në qendër të debatit publik një çështje thelbësore për funksionimin dhe legjitimitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës: kapacitetin e shtetit për të vepruar si autoritet sovran dhe i pavarur nga presionet e jashtme dhe nga grupet politike që historikisht kanë minuar rendin demokratik.

Ky certifikim, në vetvete një akt administrativ, në realitet përfaqëson një proces të ngarkuar politikisht, i cili ekspozon brishtësinë institucionale të vendit dhe shpërfilljen e dëmeve serioze që Lista Serbe i ka shkaktuar Kosovës , përherë e sidomos gjatë dekadës së fundit.

Për të kuptuar domethënien e këtij vendimi, duhet të rikthehemi dhe t’i përmbledhim dëmet strukturore që ky subjekt, i dirigjuar nga Beogradi, i ka prodhuar në:

rendin juridik-kushtetues,

funksionimin e Kuvendit,

sigurinë e brendshme,

integritetin territorial,

integrimin e komunitetit serb,

ekonominë, përmes kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Një analizë e thelluar tregon se Lista Serbe ka funksionuar jo si një parti politike brenda sistemit demokratik të Kosovës, por si mjet i një strategjie shtetërore të Serbisë, për të mbajtur nën kontroll veriun e vendit dhe për të dobësuar kapacitetin e institucioneve të republikës së Kosovës.

Në vend të përfaqësimit të komunitetit serb në kuadër të rendit kushtetues të Kosovës, Lista Serbe ka ushtruar një funksion bllokues. Duke i përdorur 10 ulëset e garantuara (dhe shpesh duke u bërë faktor përcaktues në krijimin e shumicave parlamentare), ky subjekt ka ndërtuar një praktikë sistematike të:

bojkotimit të seancave,

çrregullimit të kuorumit,

pengimit të votimeve kyçe,

kushtëzimit të vendimeve qeveritare.

Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë përfaqësues dhe legjislativ, shpesh është gjetur në pozitë të bllokuar, jo për arsye procedurale të brendshme, por për shkak të ndërhyrjeve të Beogradit, të cilat Lista Serbe i ka zbatuar pa hezitim.

Kjo përbën cenim të parimit të sovranitetit të brendshëm parlamentar, sipas të cilit asnjë fuqi e jashtme nuk mund të diktojë funksionimin e një organi të zgjedhur nga qytetarët.

Një nga aspektet më shqetësuese të rolit të Listës Serbe është identifikimi i saj me figura të implikuara në krime lufte dhe aktivitete kriminale. Milan Radoiçiq, operator i strukturave paraushtarake serbe dhe i dyshuar për krime në qytetin e Gjakovës gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Radojçiq për shumë vite ka qenë figurë dominante politike e këtij subjekti.

Nën drejtimin e tij, Lista Serbe nuk ka përfaqësuar interesat e qytetarëve serbë, por ka:

fuqizuar strukturat ilegale të sigurisë në veri,

kultivuar klimë frike ndaj serbëve që kërkonin integrim në institucionet e Kosovës,

sabotuar proceset demokratike,

dhe mbrojtur rrjetet kriminale të kontrabandës.

Ky fenomen është i paprecedent në Evropën bashkëkohore: një subjekt i certifikuar për zgjedhje parlamentare ka qenë i lidhur (hapur) me aktivitete terroriste, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë më 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, një ngjarje që përbën cenim të rëndë të rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit.

Dëmet që Lista Serbe i ka shkaktuar Kosovës nuk janë vetëm politike: ato janë të prekshme dhe të dhimbshme.

Në vitin 2011, gjatë orëve të tensionuara në veri, u vra polic tjetër i Kosovës, Enver Zyberi, një incident i lidhur me strukturat ilegale që Lista Serbe i ka mbrojtur publikisht.

Në vitin 2023, me sulmin në Banjskë, u konfirmua qartazi karakteri paraushtarak i rrjeteve të lidhura me këtë subjekt.

Asnjë parti politike demokratike nuk mund të ruajë statusin e saj ligjor kur mbështet, arsyeton ose bashkëpunon me struktura të dhunshme që:

vrasin zyrtarë shtetërorë,

shpallin “zona të ndaluara” për Policinë e Kosovës,

krijojnë barrikada,

e trajtojnë territorin e Kosovës si zonë të kontestuar.

Kjo e bën Listën Serbe subjekt të përgjegjësisë juridike dhe morale, jo thjesht aktor opozitar.

Lista Serbe ka qenë hallka kryesore e integrimit të strukturave kriminale në veriun e Kosovës. Përmes rrjeteve të kontrabandës, që përfshijnë:

mallra pa doganë,

derivate,

cigare,

mallra të luksit,

dhe në disa raste armë,

është krijuar një ekonomi paralele që jo vetëm e dëmton buxhetin e Kosovës, por largon perspektivën e stabilitetit ekonomik të rajonit.

Në disa raste, këto rrjete kanë bashkëpunuar edhe me grupe të caktuara shqiptare, duke treguar se kur bëhet fjalë për fitime të paligjshme, etnia pushon së qeni barrierë, ndërsa sovraniteti i shtetit bëhet viktimë.

Ky është një dimension që shpesh është anashkaluar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka preferuar ta trajtojë veriun si zonë të ngrirë, në vend ta shohë si epiqendër të ekonomisë së zezë në Ballkan.

Bojkotimet e organizuara nga Lista Serbe kanë synuar krijimin e vakumit institucional dhe delegjitimimin e autoritetit të Republikës së Kosovës.

Dorëheqjet masive të:

policëve,

gjyqtarëve,

prokurorëve,

zyrtarëve komunalë,

janë përdorur si mjet presioni politik, i cili krijon jo vetëm kriza funksionale, por edhe perceptim ndërkombëtar të “paqëndrueshmërisë” së Kosovës.

Ky është një mekanizëm i sofistikuar për të dëmtuar shtetin, duke krijuar situata që Serbia i përdor më pas si argument në tryezat diplomatike.

Përmes Listës Serbe, Serbia ka ruajtur kontroll të drejtpërdrejtë mbi:

proceset zgjedhore në komunat me shumicë serbe,

sistemin e arsimit,

shëndetësinë paralele,

financimin ilegal të grupeve lokale,

dhe presionin psikologjik ndaj qytetarëve serbë që duan integrim.

Kjo ka krijuar një realitet të dyfishtë: Kosova formalisht është shtet sovran, por në veri zbatimi i këtij sovraniteti është i kufizuar nga ndërhyrjet e Beogradit përmes Listës Serbe.

Certifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja, nuk mund të trajtohet si procedurë teknike. Është një vendim që i jep legjitimitet një subjekti i cili:

ka sabotuar funksionimin e institucioneve,

ka ushqyer paralelizma shtetërore,

ka bashkëpunuar me struktura të dhunshme,

ka qenë i lidhur me vrasje të zyrtarëve të shtetit,

ka prodhuar destablizim të vazhdueshëm,

dhe ka minuar integrimin e komunitetit serb në rendin juridik të Kosovës.

Në çdo shtet demokratik, një subjekt me këtë histori do të ishte objekt hetimi dhe ndëshkimi institucional, jo certifikimi.

Prandaj ky vendim nuk flet për fuqinë e Listës Serbe, por për dobësinë e shtetit të Kosovës përballë presionit ndërkombëtar dhe mungesës së vetëbesimit institucional.

Kosova nuk ka nevojë për stabilitet të rremë; ka nevojë për institucione të forta, të pavarura dhe të afta ta mbrojnë rendin kushtetues. Ky moment është një kujtesë se sovraniteti nuk humbet vetëm me invazion, por edhe me tolerimin e atyre që e minojnë çdo ditë nga brenda.


Të ngjashme