Pas vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e partive politike për mos certifikimin e listave të tyre për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se do të veprojnë në përputhje me vendimin e kësaj gjykate, raporton Ekonomia Online.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të lexojë me vëmendje të gjitha vendimet e Gjykatës Supreme dhe ashtu siç e kemi bërë të ditur qysh në fillim të fazës ankimore: Do të veprojmë në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, besoj se do të mblidhet gjatë ditës së nesërme për të proceduar konform vendimeve të Gjykatës Supreme dhe për këtë do t’iu njoftojmë me kohë”, shtoi Elezi.
I pyetur për mundësinë e ndryshimit apo zvarritjes për zgjedhjet, Elezi tha që periudha e ankesave ka përfunduar.
“Periudha e ankesave qoftë në Panelin zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa por edhe më tej në Gjykatën Supreme ka qenë e paraparë e planifikuar brenda një kohe të caktuar me planin operacional të KQZ-së, e gjithë periudha duke filluar nga ankesat e PZAP-së, dhe pastaj edhe në Gjykatën Supreme sipas planit operacional, kanë qenë të planifikuara të mbyllen deri më 31 janar”,tha ai.