KQZ-ja miraton planin operacional për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri

Prishtinë | 10 Pri 2019 | 16:06 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shqyrtuar dhe miratuar planin operacional për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që do të mbahen më 19 maj 2019, raporton Ekonomia Online.

Por, para se të miratohej plani operacional, anëtari i KQZ-së, Adnan Rrustemi, kërkoi që pika e 5-të e rendit të ditës që ishte vendim për shpalljen e konkursit për pozitat e lira në Sekretariat të KQZ-së të shtyhet për mbledhjen e ardhshme sepse sipas tij sekretariati nuk ka ofruar mjaftueshëm material të detajuar për këtë çështje.

“Nuk e konsideroj të domosdoshme për sot të bëhet vendimi për shpalljen e konkursit për pozitat e lira në Sekretariat të KQZ-së, kërkoj të shtyhet për mbledhje tjetër kjo pikë dhe sekretariati të na përgatit material më të detajuar dhe më serioz, edhe kriteret detyrat e përgjegjësitë sa për orientim”, tha Rrustemi.

“…E vërtetë që është urgjente për nevojën e KQZ-së, por janë disa vite që këto pozicione janë të lira dhe besoj se pret deri javën tjetër deri sa të na ofrohet një listë më e detajuar”, shtoi ai.

Anëtari Sami Hamiti tha se sekretariati i KQZ-së ka një kohë të gjatë që ka vendet e lira dhe këto vende duhet të plotësohen.

Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka,  me dakordimin e anëtarëve të tjerë u pajtua që diskutimi i vendimit për shpalljen e konkursit për pozitat e lira në Sekretariat të KQZ-së të shtyhet për ditën e nesërme, raporton EO.

KQZ-ja ka shqyrtuar dhe miratuar kërkesat për zëvendësimin e anëtarëve të kuvendeve komunale në Prizren, Deçan dhe Mitrovicë e Veriut, Junik, përveç asaj në Viti ku nuk u aprovua kërkesa e kryesuesit të Kuvendit Komunal për zëvendësimin e anëtarit për shkak të mungesës së tij në mbledhjet e kuvendit. Anëtari në fjalë ka munguar vetëm në tri mbledhje dhe sipas ligjit thuhet se nëse mungon 3 muaj atëherë atë pozitë nuk mund ta mbaj, sipas arsyetimit mungesa e anëtarit ka qenë e arsyeshme.

Ndërsa, formimi i Këshillave të KQZ-së ka vazhduar në zyrën e kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka, që të caktohen edhe emrat derisa nesër bëhet votimi i tyre.

Të ngjashme