Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar të enjten Rregulloren Zgjedhore për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin dhe deklarimin financiar, raporton Ekonomia Online.
Kjo rregullore u votua me 8 vota për, ndërsa u përditësua neni 7 i saj, për materialet e fushatës së zgjedhjeve, ku u shtua se do të “ndalohet vendosja e materialit nga subjektet politike në ndërtesa apo objekte të banimit pa pëlqimin e banorëve dhe pa kontraktim”.
Rregullorja është pjesë e akteve nënligjore të harmonizuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2023, e cila përcakton rregullat dhe monitorimin e fushatës së zgjedhjeve, procedurat për kufizimin e shpenzimeve dhe deklarimin financiar për fushatën e zgjedhjeve.
Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, tha se rregullorja përfshin shumë fusha e se grupi punues ka bërë një punë të jashtëzakonshme, mirëpo se neni për mbajtjen e tubimeve, sipas tij, është një kufizim i panevojshëm.
“Në rregullore janë përfshirë shumë fusha, grupi punues e ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Sipas neni katër, paragrafi 3, kërkohet që varësisht nga numri i pjesëmarrësve nga 100 apo 200 që të lajmërohet mbajtja e tubimeve 24 orë ose 48 orë, mendoj që është një kufizim i panevojshëm, sepse dallohen lehtë ndërsa tubimet e vogla mbahen në hapësira të mbyllura. Në rast se nuk kanë ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve konsiderohen shkelje administrative të dënohet me gjobë dhe gjoba shqiptohet nga KQZ”, ka thënë ai.
Për këtë, anëtari Alban Krasniqi, i cili ka qenë pjesë e grupit punues, tha se ky nen do t’i lehtësojë procedurat dhe planifikimin, teksa shpjegoi edhe arsyet pse kanë marrë këtë vendim.
“Çështja e kohës është problematike, prandaj e kemi pa të udhës që të ndahen kështu për planifikim, që nënkupton lehtësim të procedurave, në mënyrë që 24 orë para aktivitetit, subjektet politike, të njoftojnë për ngjarjet politike. Ndërsa, për mbi 200 pjesëmarrës, e kemi lënë 48 orë, sepse Policisë i duhet planifikim”, ka thënë Krasniqi.