Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është distancuar nga publikimi në medie i një sondazhi për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit për të cilin u raportuar se është bërë nga KQZ-ja, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e KQZ-së këtë çështje e ka ngritur Arianit Elshani nga PDK-ja i cili ka kërkuar që këto sondazhe të demantohen.
Ndërsa, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha së ata se kanë autorizuar askënd për të bërë sondazhe dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos u besojnë.
“Ne s’i kemi dhënë askujt të drejtë të bëjë sondazhe në emër të KQZ-së, dhe do i ftojmë qytetarët që mos t’iu besojnë”, tha Daka.
Në mbledhje nga zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u bë e ditur se afati i fundit për aplikimin e subjekteve politike për akreditim të vëzhguesve është deri sot në ora 18:00.
“Sot përfundon afati i fundit në ora 18:00 për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe OJQ-ve vendore ndërkaq të martën është afati i fundit për aplikim për mediat ndërkombëtare”, ka thënë Yll Buleshkaj drejtor ekzekutiv i kësaj zyre.
Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka thënë se votat jashtë vendit do të pranohen ç’do ditë deri në përfundimin e afatit të votimit.
Ai ka thënë se këto vota fillimisht do të dërgohen në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe pas përfundimit të votimit do të dërgohen në QNR.
ka shtuar se sekretariati çdo ditë do të bëjë marrjen e votave qoftë në postën kryesore apo ato të shpejta ku si fillim do të dërgohen në Ministrinë e Infrastrukturës dhe pastaj një ditë para zgjedhjeve në Qendrën e Numërimit.
“Sekretariati çdo ditë do ti merr nga posta pa marr parasysh a janë nga posta zyrtare apo ato të shpejta dhe do ta kemi një zyrtar që do të bëjë pranimin nga postat e shpejta dhe çdo ditë do ti marrim dhe do ti dërgojmë në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe pas kësaj do ti dërgojmë në Qendrën e numërimit”, tha ai.