Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar një Udhëzim i cili do t’i dërgohet Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve dhe Këshillave të Vendvotimit gjithandej nëpër Kosovë, ku i sqarohet se cilat janë dokumentet valide që mund t’i përdorë një votues për identifikim në ditën e votimit.
Ligji mbi zgjedhjet e përgjithshme, saktësisht neni 90 specifikon se dokumentet e pranueshme të identifikimit janë: a. letërnjoftim i vlefshëm; b. pasaportë valide; c. document i vlefshëm i udhëtimit, d. leje e vozitjes e vlefshme e Kosovës, por KQZ-ja ka shkuar më tej me sqarimin e vet përmes Udhëzimit.
Sipas Udhëzimit, të cilin e prezantoi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, vetëm dokumentet që lëshohen nga Republika e Kosovës janë të vlefshme. “Dokument i vlefshëm i votimit konsiderohen të gjitha dokumentet e Republikës së Kosovës, siç parasheh neni 90 i ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme”, tha Daka.
Sipas KQZ-së, ky Udhëzim është i detyrueshëm për të gjitha Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe për Këshillat e Vendvotimeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.