KQZ-ja voton për përjashtimin e Rusisë dhe Bjellorusisë nga ACEEEO

Prishtinë | 08 Mar 2022 | 14:19 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka votuar për përjashtimin e Rusisë dhe Bjellorusisë nga Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Europianë (ACEEEO), pas ndërhyrjes ushtareke në Ukrainë, raporton Ekonomia Online.

Me votat unanime të të gjithë anëtrëve të KQZ-së, u vendos që të njoftohet ACEEEO për votimin që institucionet zgjedhore të këtyre dy shteteve të përjashtohen nga të qenit anëtarë të këtij asociacioni.

Po ashtu, në njoftimin që i është përcjellë Sekretariatit të ACEEEO-s, theksohet se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës beson fuqishëm se asociacionet e tilla, sikurse është ACEEEO, nuk mund të mbajnë në radhët e veta institucione që përfaqësojnë shtete që janë kundër vlerave demokratike, prandaj nëse këto dy institucione nuk përjashtohen nga ACEEEO, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës do të tërhiqet nga ky asociacion.

ACEEEO është e themeluar në fillim të viteve 90’ta të shekullit të kaluar, pas rënies së komunizmit, me qëllimin e qartë për të forcuar institucionet zgjedhore demokratike. Sot, ACEEEO ekziston për të promovuar procese dhe procedura të shëndosha demokratike mes anëtarëve të saj dhe të tjerëve të përfshirë në procesin zgjedhor.

ACEEEO përbëhet nga anëtarët instituiconalë, të cilët janë institucione që merren me menaxhimin e zgjedhjeve dhe referendumeve. Aktualisht, ACEEEO ka 25 anëtarë institucionalë, pra 25 shtete të ndryshme, ku bënë pjesë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, i cili është anëtarësuar me të drejta të plota në shtator të vitit 2016. 

Përveç KQZ-së së Kosovës, anëtarët aktual institucionalë të ACEEEO-s janë Trupat e Menaxhimit të Zgjedhjeve nga këto shtete: Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosna dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjeorgjia, Hungaria, Kazakistani, Kirgistani, Letonia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Federata Ruse, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Turqia, Ukraina.

Të ngjashme