Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se duke filluar nga data 2 shkurt, të gjithë votuesit nga jashtë që regjistrohen të suksesshëm mund të votojnë përmes postës, ndërsa të hënën pritet të përmbyllet regjistrimi dhe verifikimi i aplikacioneve nga diaspora, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënsi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se fletëvotimet do të pranohen deri më datën 12 shkurt.
“Të gjithë qytetarët që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore, do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga data 2 shkurt. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt”, tha Elezi.
Tutje ai tha se shërbimi votues është në përmbyllje e sipër të periudhës së regjistrimit dhe verifikimit të aplikacioneve për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.
“Gjatë ditës së nesërme, e hënë, do të kemi një raport të detajuar se sa është numri i aplikacioneve të cilat janë pranuar deri më 21 janar, sa prej tyre janë aprovuar dhe sa janë refuzuar”, shtoi Elezi.
“Po ashtu, nesër do të kemi edhe të dhëna nga qendra e thirrjeve lidhur me verifikimin e aplikuesve përmes telefonimit të tyre dhe se deri ku ka shkuar ky proces”, përfundoi ai.