KQZ: Janë aprovuar 51 mijë e 440 kërkesa nga votuesit jashtë Kosovës

Prishtinë | 21 Dhj 2024 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës është duke vazhduar ende.

Periudhë kjo që nisi më 29 gusht do të përfundojë edhe pak ditë, më 26 dhjetor.

E Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se deri më 20 dhjetor janë aprovuar 51 mijë e 440 kërkesa ndërsa 3 mijë e 388 janë refuzuar.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas këtij njoftimi, nga 51 mijë e 440 aplikime të aprovuara, 12 mijë e 631 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 8 mijë e 5 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë, dhe 30 mijë e 804 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”.

Të ngjashme