KQZ miraton adresat e kutive postare për votimin e diasporës në 22 shtete

Prishtinë | 19 Maj 2026 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar adresat e kutive postare për votimin me postë nga jashtë Kosovës, proces i cili do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor, raporton Ekonomia Online.

Anëtari i KQZ-së dhe kryesuesi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, Alban Krasniqi, tha se adresat e kutive postare mbesin pothuajse të njëjta me ato të zgjedhjeve të kaluara.

“Departamenti përkatës i ka sjellur adresat të cilat janë të njëjta të kutive postare si në të kaluarën, vetëm në dy vende janë ndryshuar”, tha ai.

Sipas KQZ-së, me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në 22 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Po ashtu, funksionale do të jetë edhe kutia postare e përhershme e KQZ-së në Kosovë.

Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja ka miratuar edhe Planin operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Gjithashtu, është miratuar edhe dizajni dhe përmbajtja e fletëvotimit dhe broshurës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në fillim të mbledhjes, u prezantua një raport nga përfundimi i dy periudhave të ndryshme për votuesit: ndërrimi i qendrës së votimit brenda komunës (6 maj – 17 maj 2026) dhe regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës (6 maj – 17 maj 2026). Në mbledhje u bë e ditur se KQZ ka pranuar 11,840 kërkesa për ndërrim të qendrës së votimit brenda komunës, prej të cilave janë aprovuar 11,276 dhe janë refuzuar 564 të tjera. Ndërsa, për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës u bë e ditur se KQZ ka pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim dhe pas shqyrtimit të tyre janë aprovuar 131,800, ndërsa 10,907 të tjera janë refuzuar dhe 96 janë anuluar.

KQZ miraton raportin financiar tremujor, mbi 3.2 milionë euro shpenzime për janar-mars

Anëtarja e KQZ-së dhe njëherësh kryesuese e Këshillit për Buxhet dhe Financa, tha se buxheti final për periudhën raportuese ka arritur mbi 8.4 milionë euro, ndërsa shpenzimet totale mbi 3.2 milionë euro.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar buxhetin fillestar në vlerë prej 6 milionë e 795 mijë e 541 euro, ndërsa gjatë TM1-shit janë realizuar edhe ndryshimet buxhetore në kuadër të programit të zgjedhjeve si rezultat i financimit të përkohshëm, respektivisht shtesave nga Ministria e Financave. Buxheti final për periudhën raportuese arriti në 8 milionë e 444 mijë e 697 euro, ndërsa shpenzimet totale ishin 3 milion e 216 mijë e 824 euro”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve janë realizuar për paga, mëditje dhe shërbime.

“Në kuadër të buxhetit të sekretariatit, shpenzimet për periudhën janar-mars 2026 raportuese arritën në 434 mijë e 303 euro, apo 21.76% të buxhetit. Shpenzimet kryesore janë realizuar në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe shpenzimeve komunale”, tha ajo.

Sipas saj, pjesa më e madhe e mjeteve në kuadër të programit të zgjedhjeve janë shpenzuar për mbulimin e obligimeve të procesit zgjedhor të 28 dhjetorit 2025.

“Në kuadër të programit të zgjedhjeve dhe shpenzimeve gjatë periudhës së TM1-shit, janë alokuar mjetet në vlerë prej 1 milion e 609 mijë e 156. 86 euro për mbulimin e obligimeve të procesit të rregullt të zgjedhjeve të datës 28.12.2025. Nga kjo shumë janë shpenzuar rreth 1 milion e 592 mijë e 690 euro, apo 98.97% e buxhetit të programit. Programi i tretë, buxheti për mbështetje të demokracisë dhe shpenzimet, ku për subvencionimin e subjekteve politike janë shpenzuar 1 milion e 190 mijë e 401.93 euro”, tha ajo.

Të ngjashme