KQZ miraton vendimin e dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit

Prishtinë | 08 Dhj 2025 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e  fletëvotimit që do të përdoret në vendvotime brenda vendit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen 28 dhjetor 2025, raporton Ekonomia Online.

Pas vendimit, kryesuesi i KQZ-së Kreshnik Radoniqi tha se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Vendimi i KQZ-së vjen pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në këtë fletëvotim. Fletëvotimi përmban 24 subjektet politike pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor, prej të cilave, 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Në mbledhjen e kaluar, KQZ ka miratuar fletëvotimin për votimin jashtë Kosovës, i cili është i njëjtë, si në përmbajtje ashtu edhe në dizajn.

Të ngjashme