Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se të dielën në mbrëmje është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike në 2,557 vendvotime ku është zhvilluar votimi i rregullt. Të gjitha materialet zgjedhore janë tërhequr dhe vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit në 38 komuna të vendit, raporton Ekonomia Online.
“Të dielë në mbrëmje, është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike në 2,557 vendvotime ku është zhvilluar votimi i rregullt. Sipas procedurave, të gjitha materialet zgjedhore janë tërhequr dhe vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit në 38 komunat e vendit. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendra Komunale të Numërimit. Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Ky proces, i njëjtë do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare. Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve”,
Sipas tij, në këto qendra do të bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë si dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike, me transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve.
“Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht. Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 2,860. Nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Nga ky lloj votimi, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi këto të dhëna do t’i kemi pas përfundimit të procesit të tërheqjes së tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, vetëm nga tërheqjet e dy kutive postare, në Berlin dhe Bern, janë tërhequr 18 mijë pako të supozuara me fletëvotime.



